Transmetuar më 06-12-2017, 17:45

Policia britanike ka zbuluar një fermë kanabisi në zemër të Britanisë së Madhe, ndërsa ka vënë në pranga grupin e trafikantëve të përbërë nga anglezë dhe shqiptarë.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat britanike, sipas të cilave laboratori i kanabisit është zbuluar në Staffordshire të Britanisë së Madhe, në vendin e quajtur “Tre Angels Farm”.

Hetimet kanë zbuluar se prej kohësh një grup trafikantësh kishte ndërtuar një fermë të kultivimit të lëndëve narkotike kanabis sativa, dhe më pas ambalazhimin dhe shitjen e tij.

Sipas mediave britanike, janë sekuestruar 3,100 bimë kanabis ndërsa policia beson se lënda narkotike e kultivuar kap vlerën në treg rreth 1.5 milionë paund.

Ndërkohë janë vënë në pranga 6 persona, të moshës ndërmjet 17 dhe 44 vjeç dhe të përbëra nga shtetas britanikë dhe shqiptarë.

Emrat e tyre ende nuk bëhen të ditur, ndërkohë hetimet pritet të zbulojnë lidhje të tjera të drogës. (e.c/noa.al)