Transmetuar më 06-12-2017, 12:39

Gjykata e Tiranës ka marrë sot vendimin për Luli Makashin duke e shpallur fajtore për mashtrimin me vizat kanadeze dhe do të vuajë dënimin me 6 vite burg. Makashi u dënua me 9 vjet burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ajo do të vuajë vetëm 6 vjet burg.

Ndërkohë e bija, Adela do të vuajë 4 vjet burg. Edhe ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Nga 6 vjet që u caktua do të vuajë 4 vjet burg. Ajo dhe vajza e saj akuzohen për mashtrimin e gati 225 personave.

Nënë e bijë u premtonin se do t’i dërgonin në Kanada me viza pune dhe studimi me anë të agjencisë së punësimit Ande-Lm. Këto shtetase janë të akuzuara për mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim disa herë.

Në shumë raste aplikantët paguanin për një shërbim dhe ai shërbim nuk ofrohej duke u propozuar aplikimin për një shërbim tjetër (përshembull nga vizë punësimi në vizë studimi, ose anasjelltas) duke mos iu ofruar përfundimisht asnjë lloj shërbimi dhe duke mos iu kthyer asnjë lloj pagese e kryer.

Ky aktivitet i kundërligjshëm ka vazhduar deri në muajin Prill 2016, kohë në të cilën e pandehura Luli Makashi ia ka shitur shoqërinë një shtetasi me të gjitha të drejtat dhe detyrimet dhe bashkë me Adela Makashin janë larguar nga Shqipëria. /b.l/noa.al/