Transmetuar më 05-12-2017, 22:44

Një fermer nga Trebinja, ankohen për policinë që nuk ka marrë asnjë masë për lopën dhe mëshqerrën që i kanë vjedhur. Hajdutin e ka gjetur vetë pasi ka paguar informator, por lopa me mëshqerrën nuk i janë kthyer. Për këtë arsye ai iu drejtua emisionit Fiks Fare për të gjetur një zgjidhje.

Xhevair Kajacka nga Guri i Bardhë i Njësisë Administrative të Trebinjës në rrethin e Pogradecit është pronar i një ferme me plot 100 lopë.

Ai është i rregullt me të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe ferma e tij paguan të gjitha taksat. Por në vitin 2015 tek kishte nxjerrë lopët si gjithmonë në kullote, shikon se një lopë dhe mëshqerra e saj nuk ndodheshin më aty ku i kishte lënë. Pas këtij konstatimi ai fillon kërkimet në pyll me frikën se mos i ka ngrënë ndonjë kafshë e egër. Por pas tre muaj kërkimesh ai bindet se lopët nuk janë ngrënë por janë vjedhur.

Menjëherë bënë denoncimin në polici për vjedhjen e lopës. Sipas tij policia nuk e vuri ujin në zjarr. Kështu ai mundohet të gjejë lopën me forcat e veta. Bën një njoftim nëpër zonë, ku i kërkon çdo personi të fshatit që nëse kishin informacion se kush mund të kishte vjedhur lopën do të paguhet.

I menjëhershëm ka qenë informatori i parë që i tregon se lopa ndodhet në kasollen e një banori nga Verdova e Pogradecit dhe për këtë shërbim ai paguhet plot 700 mijë lekë të vjetra. Xhevairi shkon të shoh vetë se nëse informacioni ishte i saktë apo jo. Për këtë njofton dhe policinë dhe së bashku shkojnë tek kasollja ku ishte sinjalizuar.

Përveç karakteristikave të tjera të lopës ai u pohon policëve se ka dhe një sinjal që lopët e tij e njohin, pasi ai ashtu i thërret. Duke u vërtetuar të gjitha fjalët e fermerit, policia hap një dosje, pra “dosjen e lopës së vjedhur”.

Deri më tani asgjë nuk është bërë për Xhevairin, pasi sipas tij dosja e lopës fle nëpër sirtarët e komisariatit të policisë së Pogradecit, shkruan TCH. Ai iu drejtua emisionit Fiks Fare se mund të vërë organet në lëvizje dhe t’i rikthehet lopa dhe mëshqerra që ndodhet aktualisht në kasollen e hajdutit. Ai gjithashtu kërkon edhe dëmshpërblim, pasi hajduti e ka shfrytëzuar qumështin e lopës për gati tre vjet.