Transmetuar më 05-12-2017, 14:35
Publicitet

Presidenti Ilir Meta, njëherësh Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mori pjesë sot në festimin përkujtimor të “105-Vjetorit të Krijimit të Forcave të Armatosura”.

Në ceremoninë e organizuar në Sheshin “Nënë Tereza”, ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, etj..

Me këtë rast u vlerësua me medalje nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm edhe Baza Ajrore e Farkës, e cila shënoi 50-vjetorin e krijimit të saj.

Presidenti Meta dhe të pranishmit u takuan me forcat ushtarake shqiptare, të cilat do të nisen me misione në Afganistan dhe Letoni, si dhe vizituan ekspozitën dhe pajisjet ushtarake duke përshëndetur ngrohtësisht me gratë dhe burrat që shërbejnë nën uniformë në kuadër të Forcave të Armatosura shqiptare.

Në fjalën e rastit Meta tha se, kjo është një datë historike dhe lavdie për Forcat tona të Armatosura, ashtu sikurse është një gur i fortë themeli në historinë tonë të shtet-formimit.

“Prej disa vitesh ne jemi anëtarë të NATO-s. Në udhëtimin drejt anëtarësimit tonë në Aleancë ne ja dolëm ta transformojmë Shqipërinë nga një vend konsumues në vend kontribuues për paqen dhe sigurinë, veçanërisht në rajon, por jo vetëm. Kjo arritje na bën krenarë me vlera mbarëkombëtare na bën krenarë e njëkohësisht të përgjegjshëm për sfidat që kemi përpara”, u shpreh Meta.

Si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ai nënvizoi konsideratat më të larta për gratë dhe burrat nën uniformë, që gjatë 105 viteve kanë kontribuar apo vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim shembullor, sakrifica të panumërta dhe përulësi fisnike për sigurinë e qytetarëve, mbrojtjen e vendit dhe interesat tona kombëtare.

Meta tha se Forcat tona të Armatosura treguan edhe një herë, gjatë situatës së fundit të përmbytjeve në vend, se roli i tyre pranë dhe në shërbim të komuniteteve e qytetarëve, duke garantuar jetën e tyre dhe pronën privatë e publike, është jo vetëm i pazëvendësueshëm por që kërkon respekt, konsideratë, mirënjohje të veçantë dhe kujdes në rritje.

“Duke shprehur kënaqësinë për rritjen e buxhetit për vitin 2018, përkushtimin dhe vetëmohimin e treguar nga Forcat e Armatosura në menaxhimin e emergjencave civile, dëshiroj t’ju konfirmoj se çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura, përmbushja e detyrimeve në kuadër të NATO-s, do të kenë gjithmonë mbështetjen time të fuqishme”, deklaroi Meta. /a.y/noa.al

Loading...