Transmetuar më 05-12-2017, 09:42

Pas tërheqjes së Vjosës, bashkia e Fierit do fillojë sot verifikimin e dëmeve të zonave të përmbytura. Janë 5 grupe verifikimi, të cilët do të shkojnë në çdo familje. 

Në grup janë inxhinierë ndërtimi, përfaqësues nga njësitë administrative, një përfaqësues të emergjencave civile të bashkisë dhe kryeplaku i fshatit.

Për çdo banesë të dëmtuar po mbahet një dokumentacion përkatës, ndërsa urdhri është që deri ditën e premte të përfundojnë kontrollet dhe verifikimet në terren. 

Nga përmbytjet në fundjavë në Darzezë, Qarr, Levan, por edhe shumë fshatra të tjerë të Fierit u dëmtuan shumë banesa.

Ditën e djeshme situata në këto fshatra ishte disi më e normalizuar, pasi niveli i lumit ka arritur në 3.8 metra, nga 8.9 që shkoi në momentet e vështira të daljes nga shtrati.

Ndryshe nga përmbytja e vitit 2015, kësaj here dëmet e shkaktuara nga vlerësimi i Vjosës janë më të pakta. Banorët e shpjegojnë këtë me faktin se dy vite më parë, ata u gjendën krejt të papërgatitur.

Ndërsa përmbytja e shkaktuar të premten e javës së kaluar, i gjeti ata të përgatitur falë paralajmërimit të dhënë disa ditë më parë çka i ka bërë që të marrin edhe disa masa. /b.l/noa.al/