Transmetuar më 04-12-2017, 11:58

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, del kundër Kryeministrit Edi Rama, i cili mëngjesin e sotëm tha se situata e emergjencës prej përmbytjeve kaloi.

Ai thotë se nuk ka asgjë spektakolare në Darzezë, në Ferras e në shumë fshatra të tjera të Fierit ku balta ka mbuluar dhjetëra shtëpi e ka shkaktuar dëme të rënda materiale, ndërsa nënvizon në Dërmenas po ashtu.

“Asgjë spektakolare nuk ka në Novoselë e në zona të tjera të Vlorës ku, si pasojë e përmbytjeve, ka mungesa bazike, nga ushqimet tek dritat dhe uji. Asgjë spektakolare nuk ka në Fushë-Krujë, në Bilaj, në fshatin Hasan dhe lagje të tjera, ku uji dhe balta kanë përmbytur e marrë me vete shumë pasuri dhe kursime të qytetarëve. Po, ka dy gjëra spektakolare! Spektakolare është përpjekja për ta nxjerrë këtë fatkeqësi në media e në ekrane si sukses qeveritar”, shkruan Basha në Facebook, ku publikon edhe fotografinë nga përmbytja.

Më tej shton se spektakolare është braktisja e qytetarëve nga qeveria dhe lënia nën mëshirë të fatit pas asnjë ndihmë.

Basha thotë se Edi Rama duhet ta lërë propagandën e t’u zgjidhë hallet mijëra familjeve, që sipas tij, janë prej tre ditësh pa ujë, pa ushqime e drita.

“Edi Rama duhet t’i dëmshpërblejë për humbjet e pallogaritshme që kanë pësuar, pasi dimri është i gjatë dhe i papërballueshëm në këto kushte”, deklaron në mbyllje kreu i opozitës. /a.y/noa.al