Transmetuar më 04-12-2017, 09:46

Komiteti i Menaxhimit të Emergjencave është mbledhur paraditen e sotme për të diskutuar mbi situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Pasi është bërë një bilanc paraprak për sipërfaqet e përmbytura, banesat e prekura, si dhe infrastruktura e dëmtuar, kryeministri Rama tha se tashmë do të kalohet me fazën e kapërcimit të pasojave.

"Sa na takon ne do të bëjmë maksimumin siç kemi bërë herën e shkuar që nuk kemi lënë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet që kanë pasur. Është shumë e rëndësishme të bashkëpunohet ngushtësisht me prefektët dhe pushtetin vendor", tha Rama.

Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjithmonë kështu, "buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithmonë e gjithçka" prandaj u vendos përparësi.

"Përparësi është  marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneset nga përmbytjet. Duhet sensibilizuar të marrin masa të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi," tha Rama.

Më tej Rama theksoi se do të duhet që më tej të ecin me zbatimin e planit që ka nisur prej disa muajsh nga ministri i Bujqësisë në të gjitha pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes së ujit në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës.

"Fakti i shembjes së një numri të konsiderueshëm urash flet qartë për potencialin katastrofik që kishte kjo situatë, nëse shumë investime mbrojtëse nuk do të ishin bërë në këto dy vite. E kemi parë se në çdo zonë ka ende një sërë pikash të dobëta ku duhet ndërhyrë me përparësi", u shpreh Rama./b.l/noa.al/