Transmetuar më 27-11-2017, 07:30

Ata që kanë qenë të vëmendshëm dhe e kanë parë kompozitorin Aleksandër Lalo gjatë shfaqjeve të tij të fundit në televizion (lajmi i largimit të tij nga jeta u dha pikërisht në natën që ishte në jurinë e regjistruar të spektaklit “C’est la vie”) i kanë vënë re patjetër duart e tij.

 Ndërsa ai vetë fliste për cilësinë e zërit apo këngës, duart e tij ishin të mbushura me shenja gatimi, sepse gjysma e tij e ditës, në vitet që ishte në pension, por edhe më parë, kalonte pikërisht në kuzhinë.

U bë e famshme batuta e pak kohëve më parë e profesorit, kur gjatë një takimi me tri ministre, u përgjigj “Tani ika se do të bëj drekën!”... Ajo që u prit me ilaritet e u trajtua si një batutë e tij shpërfillëse ndaj mbledhjes që nuk kishte mbaruar, në fakt, ishte realiteti i tij i 30 viteve të fundit.

 “Do t’ju flisja për Françeskun, por tani nuk kam kohë, po bëj drekën”, ishte përgjigjja e kompozitorit, i cili nuk vonoi të vijojë fjalinë për të na ftuar në shtëpi. Meqenëse u ndje pakëz habi nga përtej telefonit, shtoi... “unë gazetarët i ftoj të gjithë në shtëpi sepse nuk kam fare kohë që të dal gjatë paradites, bëj gjithmonë drekën...”.

Në më pak se një orë nga telefonata, u gjendëm te hyrja e pallatit të Aleksandër Lalos, pranë Shkollës së Baletit. Për shkak të zakonit të orarit, a sepse po ngjiteshim me idenë e atmosferës së gatimit, e gjithë shkalla me dritë natyrale mbante erë gjellë.

Lalo e kishte lënë derën hapur... “Eja se po gatuaj, i kam duart me yndyrë...” Në banakun e punës, afër vatrave të sobës, ishte një tavë ku ishin shtruar petë të gatshme byreku të lagura me pak vaj ulliri. “Shefi” po priste të ftohej mbushja që kishte parapërgatitur me gjizë dhe presh.

 Meqenëse dy pakot e petëve të byrekut nuk e justifikonin urinë e një çifti jo më aq të rinj e aq të uritur, Lalo na sqaroi menjëherë se ora e drekës vinte shpejt dhe shtëpia mbushej plot, vinin të gjithë aty për të ngrënë. E kishte fjalën për të shoqen që punon si dentiste në katin e parë të një pallati fare pranë atij ku banojnë. Bashkë me të (jo domosdoshmërish në të njëjtin orar) vinte djali, nusja e nipi...

“Nuk përtoj t’i bëj edhe vetë petët e byrekut, por pasi provova disa lloje, kuptova që këto që po përdor tani, janë ekzaktësisht si ato që bëja vetë, nuk kanë asnjë ndryshim!”.

Pa e miratuar mjeshtrin e muzikës në këtë pikë, vijuam të flasim më për marrëdhënien e tij me gatimin, si një temë të paparashikuar, por të pëlqyeshme për të shkëmbyer informacione, sidomos kur e gjithë dhoma e ndenjjes ishte e mbushur me aroma të mira. “Unë kam 30 vite që gatuaj. Kur je i ri, ende i pamartuar, në shtëpinë tënde bën ndonjë gjë të vogël, ndoshta kur je vetëm në shtëpi, por jo të gatuash vakte të mirëfillta për të gjithë familjen. Ndërkaq, mendon se nuk di asgjë nga kjo punë, por në fakt gabohen të gjithë që mendojnë kështu.

Ose, thjesht duan t’i bëjnë bisht punës e të mos merren me të. Ti di, por nuk të leverdis të dish deri sa rrethanat ndryshojnë e të gjitha ato që ke parë nga të tjerët i vë në praktikë. Informacioni ka qenë gjithnjë brenda teje... ime shoqe ka pasur e ka një punë me orare të ngjeshura, më të gjata se të miat, kështu që m’u desh të merrja përsipër edhe këtë punë. Asokohe, kur ishim të rinj ndaheshin detyrat në rritjen e fëmijëve... për arsyen që thashë më sipër, gatimi e përkujdesja në këtë pikë më ngeli mua dhe kështu vijoi gjithmonë. Fundja, është ajo që sjell paratë në shtëpi, nuk kam për ç’të ankohem. Pastaj profesioni im nuk ka orare, nëse dua të ulem të punoj mund ta bëj kur të dua, në shtëpi”, të gjitha këto profesori i tregoi ndërsa shtroi shtresën e parë të gjellës me presh mbi petët e byrekut dhe nisi të hapë ato të tjerat, një e nga një, duke hedhur nga pak vaj ulliri në çdonjërën prej tyre. Ndërkaq, qoftet ishin bërë. Më saktë, ishte bërë brumi që po pushonte në frigorifer.

“E kam bërë brumin dhe e kam lënë të marinohet në mënyrë që të gjithë përbërësit të lëshojnë e marrin nga shija e njëritjetrit. Pasi të piqet byreku, do t’i fus në furrë që të jenë të ngrohta e të mos thahen. Nuk më pëlqen t’i përdor shumë të skuqurat”...

Lalo ndez furrën të parangrohet, ndërsa bashkë dalim në ballkon për të pirë duhan e për të folur për Françesk Radin. Në sallonin e shtëpisë kishte dy paketa, njëra mbi piano e tjetra mbi tavolinë. Tre a më shumë çakmakë e shkrepëse, për çdo rast.

Fjalinë e dytë të bisedës na i ndërpreu telefoni... “Të lutem, pak shpejt sepse jam në një takim dhe po bëj drekën”, volumi i ngritur i aparatit celular përcolli të gjithë përgjigjen nga ana tjetër “Pse, ju gatuani?!”.

“Të gjithë kompozitorët e mëdhenj gatuajnë, moj vajzë, por shpejt se kam edhe punë të tjera!” -Punët e tjera të Lalos lidheshin sërish me gruan.

Kur mbaronte së gatuari apo në një ditë që ishte pa takime e impenjime, ai shkonte edhe në klinikën e saj për ta ndihmuar në punë të vogla... Pjesa tjetër e bisedës me Lalon ishte ajo që kemi botuar disa muaj më parë, kur u nda nga jeta kompozitori Françesk Radi. U larguam dhe e mbyllëm bisedën duke folur sërish për gatimin, ndërsa byreku ishte futur në furrë dhe qoftet ishin gati për t’u pjekur.

LALO: FAMILJA IME KA QENË MUZA IME

“Kam kompozuar kur kanë lindur djemtë e mi, kur kam pasur gëzime në familje, kështu që frymëzimi im ka ardhur nga jeta ime dhe e familjes sime. Kam dy djem dhe janë të dy stomatologë, nuk kanë lidhje me artin! Në fakt, nuk do të doja të përfshiheshin në këtë sferë, pasi tregu është bërë shumë i madh dhe mundësitë që ofrohen këtu janë të limituara. Jo më kot edhe unë përfundova duke gatuar pikërisht për të lehtësuar punën e tyre. Më pëlqen të gatuaj gjellë tradicionale, ato gatime që preferonin edhe prindërit tanë. Sa për gjëra të sofistikuara, nuk i preferoj. Çomlekun e bëj mirë më thonë! Pastaj pasha qofte, japrak, i gatuaj ghjithashtu mirë.

Në kujtim të kompozitorit/Panorama