Transmetuar më 24-11-2017, 18:41

Sulmuesi argjentinas ka shtuar një datë të re, 24 nëntor 2017, dhe një foto të re në mbledhjen e tij të gjerë të arritjeve dhe meritave. 

Bëhet fjalë për Leo Messin i cili mori për të katërtën herë “Këpucën e Artë” ditën e sotme, në një gala emocionale të mbajtur në “Antiga Fàbrica Damm”, në Barcelonë. 

Lojtari i Barcelonës u nderua me këtë trofe për sezonin 2016-2017, pasi shënoi 37 gola (74 pikë) në La Liga, çka i dha atij trofeun e katërt “Pichichi”. 

Këtë sezon, gjithashtu, Messi dominon renditjen e shënuesve më të mirë të kampionatit spanjoll, me 12 gola.

“Është një çmim për të gjithë. Gjithmonë kam thënë se çmimet individuale vijnë nga dora e kolektivit. Pa shokët e mi nuk do t’i kisha shënuar golat”, tha Messi. /b.l/noa.al/