Transmetuar më 23-11-2017, 19:43

Nga Kozeta Kurti

Qesha me të vërtetë, ndaj s’kam përdorur thonjëza! Jo me vdekjen si proces! Ajo nuk më bën as të qesh, as të qaj. Jam mësuar ta shoh e ta konceptoj dhe mbi të gjitha ta pranoj si një fakt të pashmangshëm të qënies njerëzore, pavarësisht kohës në të cilën ndodh. Do na mungosh në qarqet e këtij metropoli rrumpallë, kjo është e vërtetë, por unë s’mund ta mohoj se qesha shumë, njësoj siç do të bëje ti, po të kishe mundësi ta ndiqje “shfaqjen” e fundit të qëndrimit tënd mbi tokë.

Ti do kishe mbajtur brinjët me dorë, nëse do shihje se sa vetë folën e shkruan nëpër rrjete sociale për ty, nga ata që disa muaj më parë, (dhe këtu nuk po flas për “gjithologët” e studiove televizive, se ata i kam pjesëtuar me zero, me kohë)  mprehën shpatat dhe argumentuan pse duhej të ndaloheshin për transmetim filmat e kinemasë shqiptare; ata nxituan të parët të shkruanin fjalën qokë “R.I.P”, përbri njërës prej melodive të tua, për të cilat deri dje kishin thënë: patetike, e vjetëruar, e demode. Të parët që erdhën e të qanë ty mjeshtër, ishin ata që kur u përmend/je ndonjë emër si tëndin apo të gjeneratës tënde, si pjesë e një jurie gare muzikore (përjashtoj këtu impenjimin tënd të fundit, sepse nuk kam kontakt, përeç faktit se ajo më shumë se garë, është show) kanë rrudhur turinjtë e kanë thënë: “hë më mo, akoma me këta të lashtët e?” Këta ishin ndër të parët që thanë: “Ua, sa do i mungojë muzikës shqiptare kontributi i këtij njeriu!”. Qesha, sepse përfytyrova reagimin tënd përballë një hipokrizie histerike kolektive të këtij lloji.

Pastaj qava! Jo për vdekjen, si proces, sikundër të shpjegova më lart, por për kurajon se si kërkuan e po kërkojnë ta shesin dhimbjen e të shtrenjtëve të tu. Rrallë e për mall shoh unë të kujtohet dikush me kontribute  në këtë vend sa është ende gjallë, kurse kur shkon, është i madhërishëm, i mrekullueshëm, i rrallë, i çmuar, i jashtëzakonshëm. Tani që s’je më, kërkojnë intervistë nga familjarët e tu, nga shitësi i marketit ku bëje pazar, nga kamarieri i lokalit që të shërbente kafen e mëngjesit. Sa do kishe qeshur ti po ta dije se një titull: “ja me sa sheqer e pinte çajin Aleksandër Lalo”, do të merrte më shumë vëmendje si një titull: “Frymëzimi im për ‘Shi në plazh’ ”. Lajmi për ikjen tënde artist, bëri po aq zhurmë, sa fakti që atë mbrëmje,  Marina Vjollca kishte thënë që jemi direkt. As këtu nuk qesh dot unë! Nuk më qeshet më. Ti je “shpulla” e disatë brenda një kohe të shkurtër që na kujton se çfarë shoqërie hipokrite, sipërfaqësore, egoiste jemi… Papritur të gjithë dalin bashkëpunëtorë të vjetër, miq të ngushtë, vëllezër që kanë pirë gjak nga njëri- tjetri, kush e kush të flasë më shumë, kush e kush të shfrytëzojë rastin për edhe një ditë më shumë vëmendje, qarkullim fjalësh e tematikash mediokre, antihumane, shfrytëzuese, keqpërdoruese.

Ja pse nuk zbrita në hollin e Radio Tiranës në homazhet e tua, edhe pse isha tetë shkallë larg, sepse nuk doja të më vinte turp nga këto rradhë; nuk e meritoja të isha aty, sepse s’bëra asgjë për ty sa ishe midis nesh, jo sepse nuk doja, por sepse nuk mundja. Tani që munda unë, më le në baltë.  Ti më preve në mes ëndrrën e një cikli të ri që po ‘gatuaj’, ku me shaka më thoje: nga ky repertor që ke zgjedhur deri më tani, vetëm unë i bie të jem ende gjallë”.

Lejomë të të “përdor” duke të të thënë lamtumirë me fjalët e tua: “Titujt e mëdhenj nuk i bëjnë artistët të mëdhenj; janë artistët e mëdhenj që i japin kuptim titullit”.

….dhe mos qesh me ata që s’kanë dëgjuar asnjë krijim tëndin deri para tre ditësh, por s’jua bëri syri tërr të dilnin para mikrofonëve e kamerave e të analizonin dëshpërimthi e pikëllimthi veprën tënde…/Blitz.al/