Transmetuar më 22-11-2017, 17:30

Përmes një video të postuar në Facebook, Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që t’i japin fund historisë së hedhjes së plehrave në rrugë.

Një ditë pas prezantimit të aksionit për “Pastrimin e Shqipërisë që Duam”, kryeministri Rama thekson se ky turp i të gjithëve duhet të marrë fund një herë e mirë.

“Krenarë për Shqipërinë? Dakord! Po si do i’a bëjmë plehrave që plot krenarë ndër ne, i hedhin mbi trupin e Shqipërisë ashtu siç asnjë pushtues nuk i hodhi kurrë?!

Duam një Shqipëri më të fortë? Dakord! Po si mund të bëhet më e fortë Shqipëria e sulmuar nga të katër anët nga plehrat që bijtë e saj hedhin kudo?!

Shqipëria destinacion i ri turistik në Mesdhe? Dakord! Po si do ta heqim njollën e turpit që i vëmë vetes në sytë e çdo turisti që mrekullohet nga bukuritë e këtij vendi dhe tmerrohet nga plehrat që njerëzit e vet i hedhin vendit të tyre mbi fytyrë?!

Së bashku t’i japim fund kësaj historie që na turpëron të gjithëve. Tani!” shkruan Rama (e.c/noa.al)