Transmetuar më 21-11-2017, 18:43

Një person e ka pësuar keq kur u kthye për herë të dytë të grabiste në të njëjtën banesë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Konjat të Lushnjës, ku një person, pasi vodhi motorrin e një shtetasi, u kthye për të vjedhur sërish në banesën e tij.

Bëhet fjalë për Shkëqim Çollakun, i cili në tentativën e dytë u kap “mat” nga pronari i shtëpisë, Nertil Hajdari.

Ky i fundit e mbajti për pesë orë, duke e dhunuar edhe fizikisht, dhe më pas e ka lënë të lirë.

Për ngjarjen policia ka shoqëruar në komisariat, Shkëlqim Çollakun, 41 vjeç, nga Çerma e Divjakës, vëllain e tij, Lulzim Collakun, 45 vjeç, nga Shegasi i Lushnjës, dhe Nertil Hajdarin, 31 vjeç. /k.k/noa.al/

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje, ndaluan shtetasit:

-Shkëlqim Çollaku, 41 vjeç, banues në fshatin Çermë, Divjakë.

-Lulëzim Çollaku, 45 vjeç, banues në fshatin Shegas, Lushnje.

-Nertil Hajdari, 31 vjeç, banues në fshatin Konjat, Lushnje.

Në datën 19.11.2017, rreth orës 18:20, shtetasi Shkëlqim Çollaku, në fshatin Konjat, ka vjedhur një motoçikletë të markës “Piaggio”, pa targa, në pronësi të shtetasit Nertil Hajdari, dhe e ka çuar për ta fshehur në banesën e vëllait të tij Lulëzim Çollakut, të cilin e ka vënë në dijeni për faktin se motorin e kishte vjedhur.

Më pas, shtetasi Shkëlqim Çollaku është kthyer në banesën e shtetasit Nertil Hajdari për të vjedhur sende të tjera por është kapur nga shtetasi Nertil Hajdari, i cili e ka mbajtur dhe dhunuar fizikisht shtetasin Shkëlqim Çollaku në banesën e tij për rreth 5 orë dhe më pas e ka lënë të lirë.

Shtetasi Nertil Hajdari këtë ngjarje nuk e ka njoftuar në organet e rendit dhe pasi e ka lënë të lirë shtetasin Shkëlqim Çollaku, ka mbajtur motoçikletën e markës “ ICO“, me targa AP072 në pronësi të vëllait të tij, shtetasit Lulëzim Çollaku, duke kryer vetëgjyqësi.

Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Lushnjës për veprën penale:

“Vjedhje”, në ngarkim të shtetasit Shkëlqim Çollaku.

“Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, në ngarkim të shtetasit Lulëzim Çollaku.

“Vetgjyqësia” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, në ngarkim të shtetasit Nertil Hajdari.

Foto ilustruese