Transmetuar më 21-11-2017, 18:05

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk do të luajë rolin e Gjykatës, duke lënë në fuqi kështu vendimet e marra nga togat e zeza në proceset gjyqësore.

Sqarimi është bërë nga vetë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmes një njoftimi për mediat, ku nënvizon rolin që ka ky institucion, i ngritur në bazë të zbatimit të reformës në drejtësi.

Sipas KPK-së, ditët e fundit ky institucion është përballur me një numër të lartë ankesash nga qytetarët lidhur me vendimet e marra nga gjykatat, që për qytetarët janë të padrejta.

Për këtë arsye,  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson se të gjitha provat dhe faktet që do të paraqiten nga qytetarët tek Formulari i Denoncimit do të shërbejnë për të hetuar pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por se kjo nuk do të thotë se do të ketë ndryshim të vendimeve të marra nga gjykatat. Megjithatë KPK nënvizon se të gjitha denoncimet e qytetarëve do të merren parasysh gjatë rivlerësimit të figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. (e.c/noa.al)