Transmetuar më 21-11-2017, 15:53

Gentian Ceka, shoferi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri është vënë nën hetim pasuror nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Lajmi bëhet i ditur nga Top Channel, i cili duke ju referuar burimeve në Prokurori thekson se emri i shoferit të ish-ministrit Tahiri, rezulton jo vetëm në përgjimet e dosjes “Habilaj” por gjithashtu është përmendur edhe nga biznesmeni, si njeriu që kishte harruar patentat e Tahirit në mjetin ku ju gjetën 863 mijë euro.

Prokurorët nuk japin detaje se çfarë dyshimesh kanë ata përderisa e kanë përfshirë edhe Gentian Cekën në listën e hetuesve, në një kohë që ai ka shpjeguar se patentat e ish-ministrit Tahiri i kishte marrë në Durrës dhe i kishte harruar në kroskotin e makinës dy muaj më parë. Për këtë arsye, Gentian Ceka është vënë në hetim pasuror nga ana e prokurorëve.

Në të njëjtën kohë, po nga të njëjtat burime mësohet se për biznesmenin, përveç hetimit pasuror dhe pasqyrimit të parave, Krimet e Rënda po hetojnë edhe tenderat e fituara nga kompanitë e tyre gjatë viteve, përfshirë edhe rikonstruksionin e komisariatit të Kombinatit.

Pas përkthimit të dosjes “Habilaj” nga Ministria e Drejtësisë, prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në dorë dosjen “Habilaj”, që do të thotë se së shpejti ata do të kryejnë veprime të tjera.