Transmetuar më 21-11-2017, 12:29

Ai ka luajtur në ekipe shumë të njohura si Real Madrid, Arsenal, Tottenham, Manchester City, por jeta e tij nuk ka qenë “fushë me lule”.

Bëhet fjalë për Emanuel Adebayor, i cili këtë deklaratë shokuese e ka dhënë për revistën franceze “Too Foo”.

Ai ka treguar se familja e ka dërguar në mendime vetëvrasjeje edhe gjatë gjithë karrierës ai ka patur momente tepër të vështira.

33-vjeçari nga Togo aktualisht mban veshur fanellën e skuadrës së Bashakshehir në kampionatin turk.

“Kam menduar të vras veten shpesh herë. Dhe këtë e kam mbajtur për brenda për vite e vite me radhë. Jam ndjerë keq për këtë, por tani më vjen mirë që munda të flas.

Kam ndryshuar vazhdimisht numrin e telefonit që familjarët të mos më kontaktonin. Kur më merrnin, nuk thoshin si je apo çfarë bën, por më kërkonin para. Kjo ishte një nga shkaqet më të mëdha që më çuan drejt vetëvrasjes. Karriera ime do të përfundojë për 3 apo 4 vite, ama emri i familjes sime do të qëndrojë gjithmonë me mua”, shprehet ai.