Transmetuar më 21-11-2017, 07:43

Ditën e djeshme më 20 nëntor, u mbushën katër vjet që prej ndarjes nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit demokrat Sokol Olldashi.

Miqtë e tij e kanë kujtuar në mënyra të ndryshme dhe mes tyre, është edhe deputeti Oerd Bylykbashi.

Ai kujton takimin e fundit me të dhe momentin kur mësoi lajmin e kobshëm.

Postimi i Bylykbashit në Facebook

U ndamë rreth orës 13:00 pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. I thamë njëri-tjetrit mirupafshim. Me siguri do të shiheshim të nesërmen sërish. Në ora 22:00 dola ‎nga regjistrimi i një debati në një studio TV. Shiu binte litarë rrugës dhe ndërsa ngisja makinën, me vete thoja: ku e gjeti! Sapo parkova, mora një telefonatë. Nuk e besova. Mora një shok që më tha duke iu dridhur zëri “është prerë keq”. Shpresova që të ishte veç plagë. Mora një shok tjetër që ishte në vend ngjarje. “Mbaroi!” me tha me zë të fikur. Nuk më bënë këmbët të ngjitesha në shtëpi. Njoftova një shok të vjetër që u trondit po aq. Desha ta ndaja gjëmën, nuk e mbaja dot vetëm. Mu kujtua kur u ndamë në drekë me një mirupafshim, mu kujtua kafja e fundit tek Hotel Kotoni. Mu kujtua kur u ngjit në shkallët e drunjta mbi kokat e nxënësve që protestonin dhe të gjithë heshtëm ta dëgjonim në atë mëngjes shkurti 1991 në palestrën e gjimnazit “Naim Frashëri” dhe nuk e pranoja që ai nuk do të vinte më…ishte shoku i parë i vjetër që nuk do të shihja më kurrë! /a.y/noa.al