Transmetuar më 20-11-2017, 16:56

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar lidhur me letrën që kryeministri Edi Rama u dërgoi sot 28 liderëve të BE-së, të cilëve u ka kërkuar mbështetje në luftën kundër bandave të drogës dhe kapjen e baronëve.

Vasili pohoi se Rama është shndërruar në shembullin më të shëmtuar dhe një mashtrues publik. Mes të tjerash ai theksoi se nuk la vulgaritet dhe banalitet pa nxjerrë nga goja kundër çdo partie, individi, media të të gjitha llojeve shqiptare ndërkombëtare që flisnin për drogën.

“Kryeministri, që gënjeu banalisht se fitoi mbi kanabisin, tani po u kërkoka ndihmë me letër europianëve. Kryeministri i Shqipërisë është shndërruar në shembullin më të shëmtuar të mashtruesit publik.

Nuk la vulgaritet e banalitet pa nxjerrë nga goja kundër çdo partie, individi, media të të gjitha llojeve shqiptare e ndërkombëtare, që flisnin për drogën dhe efektin shkatërrimtar të saj për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nuk la gënjeshtër, manipulim faktesh, ngjarjesh e raportesh për të mohuar, mbuluar dhe përdorur për pushtetin e tij dhe për të blerë vota, këtë tragjedi politike e sociale.

Sot po ky kryeministër u dërgon letër shteteve europiane për ndihmë për drogën, që po ky që medemek e kishte "eliminuar" 99%"”, shkruan Vasili.

Më tej ai citon një fjalim të kryeministrit Rama të thënë jo më larg se 2 javë më parë, ndërsa fton qytetarët që përmes tij të kuptojnë më mirë çdo të thotë gënjeshtar që as skuqet as zverdhet.

“Ja ç’thoshte kryeministri: ‘Ne e fituam betejën me kanabisin. Viti 2017 e nxori vendin nga harta e zezë. Vetëm qorrat që nuk duan të shohin, shurdhët të dëgjojnë, apo kazanët që nuk duan të mësojnë”, përfundon Vasili. /b.l/noa.al/