Transmetuar më 20-11-2017, 07:30

Disa ngjarje të së shkuarës së largët kthehen e marrin vlerë shumë vite më pas. Jo se në kohën që kanë ndodhur kanë qenë të parëndësishme, por se, për shkak të viteve që ke, nuk iu ke dhënë rëndësinë e duhur. Kjo i ka ndodhur edhe Liri Berishës, e cila ishte aq e vogël, sa nuk mund të mendonte se përse dy zonja rrinin përherë të heshtura dhe përse përtej portës së shtëpisë së tyre në rrugën e Kavajës, ishte thuajse përherë errësirë. Fëmijës që shkonte pas topit nuk mund t’i shpjegohej se ato dy gra nuk kishin zë, duhet vetëm të mbijetonin, me një pjesëtare të shtëpisë shumë larg tyre që nuk e panë më kurrë.

Ishte motra dhe nëna e Nënë Terezës, që rastësia i kishte çuar pranë Berishës, kur ajo ishte fare fëmijë. Vite më vonë, ato pamje do t’i ktheheshin në kujtesë dhe do të merrnin një vlerë tjetër, vlerën e vërtetë, atë që kishin e ua mohuan. Ngjarjet e njohjet e fëmijërisë, shumë vite më vonë, Liri Berisha do t’ia tregonte edhe vetë Nënë Terezës, gjatë takimeve të tyre në një botë të lirë.

Ju keni hapur ekspozita për Nënë Terezën në vende të ndryshme të botës, por këtë fund nëntori do të hapet një edhe në Shqipëri. Çfarë përmbajnë këto ekspozita, nga koha e kultura e viteve të saj në Shqipëri?

 Po, me Fondacionin “Nënë Tereza” kemi hapur disa ekspozita të rëndësishme në qytete të ndryshme të botës. Në vitin 2010, në selinë e OKB-së në New-York, falë kontributit dhe një bashkëpunimi të karakteristike, që ka përdorur vetë Nënë Tereza gjatë rinisë së saj,pra artistike dhe libra kushtuar jetës dhe misionit të saj përkushtues, fotografi të shumta, piktura dhe skulptura etj. Ekspozita bashkëshoqërohej edhe me një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës bamirëse të  Nënë Terezës, nga e cila mori dhe emrin kjo ekspozitë. Qëllimi ishte për të ndarë me të gjithë ata popuj dhe kultura dhe gjithë botën këtë trashëgimi të çmuar, këtë thesar të vyer kombëtar shqiptar, për të cilin të gjithë ndihemi krenar. Më pas, ekspozita shkoi edhe Washington, Milano, etj. Sot, ne nuk kemi mundësi më të rimbledhim të gjitha objektet që i kemi gjetur me mund nëpër qytete të Shqipërisë, por, kur më kërkuan të kontribuoja për ekspozitën që do të hapet në fund të nëntorit, pranova me kënaqësi të tregoj ato gjëra që kam, pikturat, qilimin, fotografi, e disa objekte të kohës.

Në ç’rrethana jeni njohur me familjarët, nënë dhe motrën e Nënë Terezës?

Ka qenë një njohje që është bërë e ditur shumë vonë. Nuk kam qenë më shumë se 13 vjeç kur shkonim luanim në oborrin e një miku të babait tim, të mbushur me lule në Rrugën e Kavajës. Ai ishte Avni Zajmi, një nga figurat e nderuara të sportit. Ishte koha kur ne deklaroheshim si vend ateist, një kohë kur me fushata prisheshin institucionet dhe kultet fetare dhe familjet që kishin njerëz jashtë shtetit, ishin të dyshimta dhe persekutoheshin. Pikërisht këtë ka ndierë nëna Drane dhe motra e Nënë Terezës, Agia, në kohën kur humbën Kolën, i cili mendohet të jetë helmuar. Ato mbetën mes katër rrugëve dhe ky njeri e ka futur në shtëpi dhe e ka strehuar. Unë mbaj mend, që në atë oborrin e bukur, ishte një derë e hapur ku errësira nuk të linte të shikoje asgjë dhe dy gra. Njëra ishte e thyer, mbante veshur një fustan të gjatë të bardhë, fliste ngadalë, kësaj i thërrisnim nëna. Tjetra ishte më e re. Kurioziteti për ta m’u shtua kur shikoja që të rriturit diskutonin me keqardhje dhe nderim për këto të dyja. Një ditë, kur kthehem në shtëpi, pyes nënën time: Kush janë këto dy gra? Ajo më thotë: Ato nuk janë dy gra, janë dy zonja të nderuara. Dhe aty më tregoi një histori të shkurtër, që kjo nëna ka edhe një vajzë tjetër, e cila, që 16 vjeç, është larguar për studime, tani merret me një mision shumë të madh, por diku larg. Dhe vajza që jetonte me nënën është larguar nga puna, pikërisht prej saj dhe tani nxjerrin bukën e gojës me punën e dorës.

Për 20 vite, unë nuk kam ditur asgjë për ato të dyja. Një ditë isha përpara televizorit dhe kam shtangur kur dëgjova që një shqiptare merrte çmimin “Nobel”. Aty kam mësuar se ajo ishte Nënë Tereza, vajza e munguar e asaj zonje në shtëpinë e Zajmëve. Pastaj kam mësuar se nëna dhe motra e Nënë Terezës kishin kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të takohen dhe që u ishte refuzuar kërkesa. Shpeshherë kam menduar se sa zemërthyer është larguar nga kjo jetë nëna Drane, e cila e pa deri në moshën 16-vjeçare vajzën dhe asnjëherë më.

A i keni ndarë këto momente të së shkuarës me Nënë Terezën kur e takuat shumë vite më vonë?

Unë e kam takuar Nënë Terezën kur ajo erdhi në Shqipëri, në 1991, në dhjetor, para Krishtlindjeve. Shkuam me Saliun të shikonim shtëpinë, të cilën ajo ia kishte dhuruar të motrave, ku ndihmonte njerëzit e varfër te Rruga e Elbasanit. E kam pritur me shumë kuriozitet dhe në momentin që kemi hyrë në dhomë, jam befasuar. Në një dhomë të madhe me parket ishin ulur 4-5 motra me shtupë në dorë dhe fërkonin dyshemenë. Njëra nga ato ishte Nënë Tereza, ajo u ngrit dhe me duart e hapura erdhi drejt nesh.

Më bëri përshtypje jo vetëm mikpritja, por edhe energjia që ajo kishte, ajo dukej shumë e re, kishte zë kumbues dhe imponues. Nuk i shpëtonte asgjë vështrimit të saj. Na tregoi shtëpinë ku ishte e mbledhur dhimbja dhe na tha: Uria më e madhe nuk është uria për një kafshatë bukë, uria më e madhe është për pak dashuri, për pak vëmendje dhe për pak përkujdesje.

Më ka mbetur në mendje përkujdesi i saj, i cili kishte vërtet pamjen e një nëne. U përpoqa që t’i them diçka për të shkuarën duke i përmendur familjarët e saj dhe faktin që i kisha njohur dhe ajo me urtësi më tha vetëm pak fjalë: “Edhe unë kam vuajtur, por jam e bindur që ato të dyja kanë vuajtur shumë më tepër” këto fjalë kujtoj prej saj, thënë me keqardhje e me duart gjithnjë drejtuar Zotit.

Çfarë ndodhi me ato të dyja?

Në vitin 1979, kur thashë se mësova për herë të parë për të, nuk mund të shqiptohej asnjë fjalë e mirë për të sepse në mes ishte feja, më tej akoma, diktatura. Gjithë bota e ngrinte në qiell nobelisten shqiptare, kurse vet Shqipëria ateiste, heshtte. “Kjo është vajza e dytë e asaj zonje që banonte dikur te shtëpia e Zajmëve”, më kujtoi ime më. “A janë ende gjallë ato dy zonjat?”, e pyeta, pasi kishin kohë që kishin ndërruar shtëpi. “Jo, nëna i ka vdekur në vitin 1974”.

Shpeshherë e kam menduar me dhimbje atë grua të vjetër, që rropatej të nxirrte bukën e gojës me duart që i dridheshin dhe sytë gati të fikur. “Sa zemërplasur është larguar nga kjo botë, pa mundur të shihte një herë të vetme të bijën e larguar qysh 16 vjeç! Pa e ditur se e bija, në të gjithë botën, në emër të Zotit, bënte atë që ajo ia kishte ushqyer dhe edukuar, por që vet i ishte ndaluar edhe ta mendonte, pa marrë një pikë ujë nga duart e vajzës që solli në jetë.

Iku pa e ditur se çfarë la pas, pa ia parë sytë e pa ia prekur dorën, pa marrë një lutje prej së bijës, atë lutje që Nënë Tereza ua dhuroi gjithë njerëzve të varfër në botë. Ndiqnim fshehurazi në stacionet televizive të huaja se si e respektonin, e prisnin, e takonin me dashuri burra shtetesh, presidentë, njerëz të shquar e të nderuar që përuleshin përpara saj, ndërsa vendi i vet, aty ku kishte rrënjët, e shihte si të qe e huaj. Shumë kohë më vonë, mësova se Nënë Tereza kishte kërkuar disa herë të vinte në Shqipëri, por lutjet e saj nuk ishin pranuar.

Si i kujtoni takimet me të, sepse kanë qenë më shumë se një?

Në fillim nuk e kuptoja, se duke e ndjekur, mësoje edhe nga një lëvizje e dorës së saj, nga ecja, nga përkulja mbi shtratin e të sëmurëve. Kujtoj vështrimin e saj të butë, tek na shoqëronte të vizitonim çdo dhomë të shtëpisë. Ishte e kënaqur që më në fund po ndihmonte njerëzit e vendit të saj me ngritjen e qendrës humanitare.

“Do përpiqem të hap edhe të tjera se njerëzit kanë nevojë”, tha dhe na tërhoqi drejt një dhome me gra të sëmura shumë rëndë. Vizituam të sëmurët e të braktisurit që kishte strehuar. Disa dukeshin në gjendje terminale, dy motra po mjekonin plagët e një gruaje, e cila sapo më pa, mbuloi fytyrën me duar.

E njoha, ishte nëna e një shoqes sime, e cila kishte mbetur vetëm dhe ishte e sëmurë. Kishte gjetur strehë e kujdes vetëm aty. U emocionova te shikoja se si Nënë Tereza ndalej në çdo shtrat dhe dikë e përkëdhelte, një tjetër e ndihmonte të mbulohej, dikujt i shkonte dorën mbi ballë. Në një çast, ajo kthehet dhe më pyet: “A do të mund ta bëje ti këtë punë nëse të kërkohet?” Pa më lënë kohë të përgjigjesha, duke tundur duart sikur nuk donte të dëgjonte atë që unë do t’i thoja, tha: “Jo, nuk dua përgjigje, se atë nuk mund ta japësh menjëherë, do shumë kohë për t’u përgatitur në shpirt”.

Po ju çfarë i thatë?

E kam menduar shpesh atë pyetje. Edhe sot sikur të më pyesë ndokush, do ngurroj të kthej përgjigje, sepse që ta bësh një punë, duhet shpirt. Duhet vullnet e siguri, dashuri e vendosmëri që shprehet jo në një çast e në një punë të vetme, por gjithë jetën, ditë pas dite, duke ndihmuar njerëzit. Të gjitha këto si i ka treguar Nënë Tereza, zor se do të mund ta bënte tjetërkush.

Në thellësi të shpirtit ndieja se ajo që bëja vet prej vitesh, e edukuar edhe nga prindërit, ishte një detyrë para Zotit, vetes dhe familjes sime. Ndërsa ajo që bënte Nënë Tereza me Motrat e saj, ishte e pakrahasueshme me asgjë e mbi të gjitha ishte vetëmohim e sakrificë e pashembullt. Ende i kam të ngrohta duart nga takimet që kam pasur me Nënë Terezën. Ende më vjen në mendje fytyra e saj, siguria në fjalët që thoshte dhe ngazëllimi kur kuptonte se ti po ndihmoje të tjerët.

Besoj që një nga takimet më të veçanta me të ka qenë kur ju ka ardhur në shtëpi?

Disa javë më vonë, pasi e kisha vizituar në qendrën e saj, mora vesh se Nënë Tereza do vinte për vizitë në shtëpinë tonë. Jo vetëm unë, familja ime, por e gjithë lagjja u gëzua dhe u mobilizua për të pritur sa më mirë Nënë Terezën. U lyen shkallët, muret e pemët e rrugës me gëlqere, u pastrua oborri përpara pallatit. Më kujtohet se në atë kohë me zor gjendeshin ushqime nëpër dyqane, por dreka atë ditë ishte e pasur. Të gjithë kishin ndihmuar me ndonjë gjë.

Kishte shumë njerëz në shtëpinë tonë atë ditë, saqë ishte e vështirë të mund të bisedoje sadopak gjatë me të. Në gjithë atë emocion, mungonte vetëm një aparat fotografik, ose më saktë, nuk mundëm të gjenin dot një film për t’ia vënë një aparati fotografik. Të gjitha fjalët, gjestet, vështrimi i Nënë Terezës u fotografuan në kujtesën time, të familjes sime, por jam e bindur se çdo fotografi e asaj dite do fliste sa për një mijë fjalë të miat, aq e veçantë ishte vizita e Nënë Terezës për ne. Më bënte përshtypje se me gjithë lutjet tona, nuk provoi asgjë nga çfarë kishim përgatitur.

Vështrova Saliun. E kuptoi dhe më tha: “Lili, gjithë ushqimet t’i mbështjellim e t’i zbresim poshtë në makinë për t’ua nisur Motrave!” Nuk e harroj si i shpërtheu Nënë Terezës gëzimi në fytyrë kur më tha: “Sa do gëzohen Motrat! Ç’drekë të shijshme do hanë sot nga duart e tua!” Edhe me këtë gjest, ajo të bënte të mësoje. Mbaj mend fjalët e fundit që më tha, kur e përcolla në dalje të shtëpisë: “Të pres të vish në shtëpinë tonë!”/panorama