Transmetuar më 19-11-2017, 18:07

Një nga katër kompanitë e telefonisë celulare në Shqipëri, nuk do të jetë më pasi është duke u mbyllur.

NOA.al mëson se kompania Plus Communication është në mbyllje e sipër dhe dy kompani të tjera celulare në Shqipëri, janë duke marrë asetet e saj.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të NOA.al në Plus Communication të cilat thanë se punonjësit e saj janë njoftuar që brenda javëve në vazhdim do të ndërpriten marrëdhëniet e punës.

Sakaq, Autoriteti i Konkurrencës, njoftoi zyrtarisht për një marrëveshje që Telecom Albania (ish AMC) dhe Vodafone Albania kanë bërë me kompaninë Plus Telecommunication, në bazë të së cilët dy kompanitë do të ndajnë të drejtën e përdorimit të frekuencave të Plus Communication.

Kjo do të thotë që Plus do të jetë operatori që do të largohet së shpejti nga tregu duke mbetur tre kompani të tjera që ofrojnë shërbimin e telefonisë së lëvizishme në Shqipëri.

Diskutimet e operatorëve rregullatorë (Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) janë përqendruar në faktin se si duhet të mbrohet konsumatori, pra nëse do të mundësohet një portim i numrave drejt operatorëve të tjerë.

Deklaratat e plota zyrtare nga Autoriteti i Konkurrencës

Njoftim përqendrimi

Rasti: Përftim Kontrolli i “Vodafone Albania SHA / Plus Communication SHA”

“Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin mbi transaksionin e realizuar midis shoqërisë Plus Comunication SHA dhe Vodafone Albania SHA, e shprehur nëpërmjet “Marrëveshjes për transferimin e spektrit” të nënshkruar më datë 18 Tetor 2017, në të cilën synohet transferimi i të drejtës së përdorimit të ½ së spektrit të frekuencave 900 MHz, ½ së spektrit të frekuencave 1800 MHz dhe ½ së spektrit të frekuencave 2100 MHz të ndërmarrjes Plus Communication SHA1 tek Vodafone Albania SHA. Marrëveshja në fjalë është pjesë integrale dhe e pandashme e një pakete më të gjerë negociatash dhe marrëveshjes dakortësie për Zgjidhjen me Pajtim midis Vodafone Albania SHA dhe Plus Communication SHA, si dhe Albtelecom SHA dhe Plus Communication SHA, të cilat do të përmbushen paralelisht dhe do të jenë objekt vlerësimi nga Autoriteti. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10, pika 1, shkronja b dhe c, dhe nenin 12, pika 1 dhe 2 , të Ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” dhe do ti nënshtrohet procesit të kontrollit të përqendrimit. Veprimtaria e palëve pjesëmarrëse: Vodafone Albania SHA (Blerësi), një shoqëri aksionare, e themeluar dhe organizuar sipas ligjeve te Republikës se Shqipërisë, regjistruar pranë Qendrës Kombëtare te Biznesit me Numër Unik Identifikimi Kll715005L dhe me seli ne adresën: Autostrada "Tiranë-Durrës" , Rr. "Pavarësia", Nr. 61, Kashar, Tiranë. Vodafone ushtron aktivitetin e saj për ofrimin e shërbimeve te komunikimeve elektronike ne përputhje me Ligjin 9918/2008 "Për komunikimet elektronike" ("Ligji 9918/2008"), aktet nënligjore te nxjerra ne zbatim te Ligjit te lartpërmendur si dhe ne përputhje me Autorizimet e lëshuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ("AKEP"). Plus Communication SHA (Target), një shoqëri aksionare e së drejtës shqiptare, e regjistruar ne Regjistrin Tregtar me date 11.06.2009, me NIPT K91811014B, me seli qendrore në adresën: Rruga "Ibrahim Rugova", Godina e Re, pranë Gardës së Republikës, Kati i 2, Tirane, Shqipëri. Plus ushtron aktivitetin e saj për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike në përputhje me Ligjin 9918/2008 "Për Komunikimet Elektronike". Në zbatim të nenit 13 të rregullores “Për zbatimin e procedurave të përqendrimit të ndërmarrjeve”, Autoriteti fton palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar. Opinionet duhet të paraqiten jo më vonë se 15 ditë nga publikimi i këtij njoftimi. Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me fax (nr. 0355 4 2234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën [email protected]

Njoftim Përqendrimi

Rasti: Përftim Kontrolli i “Telekom Albania SHA / Plus Communication SHA”

Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin mbi transaksionin e realizuar midis shoqërisë Plus Comunication SHA dhe Telekom Albania SHA, e shprehur nëpërmjet “Marrëveshjes për transferimin e spektrit” të nënshkruar me datë 18 Tetor 2017, në të cilën synohet transferimi i të drejtës së përdorimit të ½ së spektrit të frekuencave 900 MHz, ½ së spektrit të frekuencave 1800 MHz dhe ½ së spektrit të frekuencave 2100 MHz të ndërmarrjes Plus Communication SHA1 tek Telekom Albania SHA. Marrëveshja në fjalë është pjesë integrale dhe e pandashme e një pakete më të gjerë negociatash dhe marrëveshjes dakortësie për Zgjidhjen me Pajtim midis Albtelecom SHA dhe Plus Communication SHA, të cilat do të përmbushen paralelisht dhe do të jenë objekt vlerësimi nga Autoriteti. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10, pika 1, shkronja b dhe c, dhe nenin 12, pika 1 dhe 2 , të Ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” dhe do ti nënshtrohet procesit të kontrollit të përqendrimit. Veprimtaria e palëve pjesëmarrëse: Telekom Albania SHA (Blerësi), një shoqëri aksionare, e themeluar dhe organizuar sipas ligjeve të Republikës se Shqipërisë, regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit me Numër Unik Identifikimi J61814094Ë dhe me seli ne adresën: Rruga “Gjergj Legisi”, ndërtesë 4 katëshe, zona kadastrale 8310, Laprakë, Tirane. Telekom Albania SHA ushtron aktivitetin e saj për ofrimin e shërbimeve te komunikimeve elektronike ne përputhje me Ligjin 9918/2008 "Për komunikimet elektronike" ("Ligji 9918/2008"), aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të Ligjit të lartpërmendur si dhe në përputhje me Autorizimet e lëshuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ("AKEP"). Plus Communication SHA (Target), një shoqëri aksionare e së drejtës shqiptare, e regjistruar ne Regjistrin Tregtar me date 11.06.2009, me NIPT K91811014B , me seli qendrore në adresën: Rruga "Ibrahim Rugova", Godina e Re, pranë Gardës së Republikës, Kati i 2, Tirane, Shqipëri. Plus ushtron aktivitetin e saj për ofrimin e shërbimeve te komunikimeve elektronike në përputhje me Ligjin 9918/2008 "Për Komunikimet Elektronike" Në zbatim të nenit 13 të rregullores “Për zbatimin e procedurave të përqendrimit të ndërmarrjeve”, Autoriteti fton palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar. Opinionet duhet të paraqiten jo më vonë se 15 ditë nga publikimi i këtij njoftimi. Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me fax (nr. 0355 4 2234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën [email protected]