Transmetuar më 19-11-2017, 17:25

Duke folur në “komunikimin javor”, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjitha kompanitë që abuzojnë me pagesat e punonjësve dhe detyrimet.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se të gjithë abuzuesit do të ndëshkohen rëndë, teksa vijoi duke thënë se rreth 40% e punonjësve të bizneseve të mëdha, janë deklaruar me pagë minimale.

“Me gjithë arritjet e konsiderueshme, si dhe në luftën kundër punës në të zezë, së fundmi janë identifikuar rreth 40% e të punësuarve në bizneset e mëdha të deklaruar me pagë minimale 30 mijë lekë. Kjo është e pajustifikueshme, por edhe e dënueshme, pasi shkelen hapur të drejtat e punonjësve, duke iu ngrënë padrejtësisht pensionin, duke i bërë bisht pagesës për tatimin e fitimit”, ka thënë Rama.

Sipas tij, qeveria nuk do ta tolerojë këtë situatë dhe sipas tij “gropa e detyrimeve mbetet ende e një madhësie të papranueshme për një vend që synojmë ta bëjmë shtet”.

“Në Shqipëri puna duhet paguar denjësisht, nga të gjithë pa përjashtim”, u shpreh Rama.

“Forca e ligjit do të ushtrohet më fort se asnjëherë më parë për çdo biznes që do gjendet në kushtet e mashtrimit me pagat dhe me detyrimet”, tha Rama.