Transmetuar më 19-11-2017, 15:11

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar me të njëjtën gjuhë si lideri i opozitës Lulzim Basha, lidhur me takimin që pati paraditen e sotme me ambasadorët Kryeministri Edi Rama, ku fokusi kryesor ishte thithja e investimeve.

Vasili thotë se krimi në krye të qeverisë largon dhe përzë investimet e huaja.

“Që droga dhe krimi i organizuar janë ulur këmbëkryq në Shqipëri e thotë BE, SHBA, OSBE dhe gjithë media botërore. Kur e thotë opozita shqiptare sipas Kryeministrit dhe ca e ca të tjerëve, që i rrijnë nga pas është faj, gabim, herezi. Po po, droga dhe krimi i bërë njësh me pushtetin po e shkatërrojnë vendin”, shkruan Vasili në Facebook.

Ai shton se përgjegjësia ka vetëm një emër që sipas tij, është kryetrafikanti, që urdhëroi të pengohej drejtësia për ish ministrin e akuzuar nga Europa.

“Edhe për këtë e gjithe Europa po flet”, thotë Vasili, duke shtuar se ndaj largohen investimet e huaja, sepse pushteti i grabit me taksa e ryshfete pa fund, ndërsa krimi i mbështetur nga qeveria i rreh dhe i gjymton.

Ai e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se fjalimet e Kryeministrit për diplomaci ekonomike, janë humor ku qeshin e gëzojnë trafikantët dhe qajnë e hidhërohen shqiptarët.

Më herët Basha tha se është mision i pamundur që ambasadorët të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri.

Ai deklaroi Rama e di shumë mirë këtë, sepse është ai përgjegjësi për krijimin e një klime armiqësore për biznesin vendas dhe të huaj.

Kreu i opozitës shtoi se Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë, e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tendera vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30- 50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime.

“Ambasadorët e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse në 4 vitet e fundit raportet ndërkombëtare flasin vetëm për përkeqësimin e klimës së biznesit, për rritjen e taksave, për korrupsionin e përhapur në çdo nivel të qeverisjes. Sepse tenderat dhe koncesionet përfundojnë në xhepat e 10 klientëve të Kryeministrit dhe investitorët e huaj gjymtohen nga kriminelët e lidhur me Ramën dhe Dakot e tij për t’u përzënë nga Shqipëria”, u shpreh Basha. /a.y/noa.al

Takimi i Ramës me ambasadorët, Basha: Sjellja e investitorëve të huaj, mision i pamundur

Rama: Shërbimi i jashtëm në funksion të zhvillimit ekonomik, diaspora burim i pashfrytëzuar