Transmetuar më 18-11-2017, 12:51

Një mësues i persekutuar politik, ka mbetur pa punë edhe pse në portalin “Mësues për Shqipërinë” doli i pari në degën Gjeografi në Malësinë e Madhe.

Gjovalin Veshtaj i është drejtuar kryeministrit Edi Rama duke i shkruar në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, dhe zëri i tij është dëgjuar. Vendin e tij të punës e kishte zënë personi që rezultonte i renditur i dyti.

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se nga dita e djeshme mësuesi është në punë. Ajo zbuloi se ai ishte ish-kryetar komune në Kastrat të Malësisë së Madhe, dhe anëtar i partisë Demokratike që nga viti 1992, dhe i papunë prej vitit 2013.

Nikolla tha se ka urdhëruar nisjen e procedurave për gjetjen përgjegjëse, dhe shkarkimin e drejtuesve të zyrës së Arsimit në Malësinë e Madhe për abuzim me detyrën. Ajo tha se mandati që PD mori është mandat kuqezi, duke theksuar se nuk ka të bëjë bindja politike e qytetarëve.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama që ka shfaqur Live në Facebook deklaratën e ministres Nikolla, shkruan: “Një qytetar fiton të drejtën dhe një zyrtar largohet nga detyra. Ki besim! Nuk je aspak i vetëm përballë zyrtarit që nuk të dëgjon. Qeveria është në anën tënde. Mjafton një mesazh në shqiperiaqeduam.al për të vënë në lëvizje qeverinë për zgjidhjen e problemit që ke me administratën.

Mjafton një mesazh për të shmangur kërkesën për ryshfet në një zyrë shteti, duke marrë të drejtën e mohuar dhe ndihmuar në pastrimin e zyrave të shtetit nga grabitqarët, përmes shqiperiaqeduam.al.

Mjafton një mesazh për t’u bërë pjesë e koalicionit të madh të njerëzve të zakonshëm për Shqipërinë që duam, duke i dhënë fuqinë qeverisëse zërit të shpresave e të nevojave tuaja. S’të kushton asgjë dhe mund të bësh shumë për veten e për vendin tonë përmes shqiperiaqeduam.al”, u shpreh Nikolla. /b.l/noa.al/