Transmetuar më 18-11-2017, 09:33

Përmirësohet gjendja shëndetësore e nxënësve të shkollës së mesme “Rifat Manjani” në Shupenzë të Dibrës.

Paraditen e djeshme ata shfaqën probleme shëndetësore pasi vënia në punë e kaldajës së re dhe bllokimi i oxhaqeve mbushën klasat me tym dhe gazra. Rreth 60 prej tyre pësuan asfiksim, me dhimbje koke, këputje e të vjella.

Mësohet se sot në spitalin e Peshkopisë ndodhen vetëm 9 nxënës dhe 7 pritet të dalin. Ndërsa në spitalin e Bulqizës ndodhet vetëm 1 nxënës.

Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme kur testimi i sistemit të ngrohjes me dru, për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi në këtë shkollë.

Në shkollën e mesme në qendër Shupenzë, janë ndezur kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambientit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambientet e brendshme të shkollës duke shkaktuar ndotje të ambientit. /b.l/noa.al/