Transmetuar më 17-11-2017, 19:12

Gjyqtari në Gjykatën e Apelit, Tiranë, Shkëlqim Miri është pezulluar nga detyra. Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas akuzave të ngritura ndaj tij.

Shkëlqim Miri akuzohet për tjetërsim të një vendimi duke liruar një person nga burgu. Ai u ndalua pak ditë më parë, ndërsa Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në banesën e Mirit u gjet një sasi parash prej rreth 340 milionë lekë, dhe deri në verifikimin e burimit të tyre, do të qëndrojë pas hekurave.

Ai ka deklaruar se paratë do t’i përdorte për kurimin e një sëmundjeje, me të cilën ishte diagnostikuar pak kohë më parë.

Gjyqtari dyshohet se ka marrë ryshfet 20 mijë euro për ndryshimin e akuzës ndaj Gentian Dodës, duke sjellë lirimin e tij nga burgu. /k.k/noa.al/