Transmetuar më 17-11-2017, 17:51

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Melaim Damzi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në fshatin Shupenzë ku 60 nxënës përfunduan në spital pas asfiksimit që pati si shkak i tymit të ardhur nga kaldaja.

Në një prononcim për "News24" Damzi tha se merr të gjitha përgjegjësitë dhe se reagimi i institucioneve ka qenë në kohë.

"Mbaj të gjitha përgjegjësitë sipër. Situata u vu nën kontroll menjëherë. Ngritëm emergjencat civile të bashkisë. Si prind, si mjek kam qenë pranë spitalit për të dhënë ndihmën e parë", tha Damzi.

Ai theksoi se kjo është një  ngjarje aksidentale. "Pardje u bë testimi pa nxënës dhe ishte në rregull. Kaldaja u ndez në orën 7 dhe u bllokua oxhaku. Kaldaja është moderne me pelet. Ka zero ndikim në mjedis. Specialistët vunë sërish në punë kaldajën, është në gjendje të mirë", tha ai.

Ndërkohë paraditen e sotme 60 nxënës u asfiksuan nga dioksidi i karbonit në shkollën e mesme të Shupenzës në Dibër, pasi teknikët testonin kaldajën e shkollës gjatë orëve të mësimit.

Nxënësit u asfiksuan pasi sistemi i ngrohjes nuk funksionoi ashtu siç duhej. Vënia në punë e kaldajës së re dhe bllokimi i oxhakut, i mbushi klasat me dioksid karboni.