Transmetuar më 17-11-2017, 15:26

Rritet numri i nxënësve të asfiksuar nga rrjedhja e gazit në gjimnazin e Shupenzës në Bulqizë, duke shkuar në total rreth 60.

Mjeku i spitalit rajonal të Bulqizës ka bërë me dije se pas kontingjentit të pare, ka mbërritur edhe një i dytë, ndërkohë që një pjesë e nxënësve të asfiksuar janë dërguar drejt Peshkopisë, pasi në vend nuk ka pasur kapacitet për trajtimin e tyre. 

Një nxënëse është nisur me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar, pasi ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore se moshatarët e tjerë.

“Një nxënëse me inicialet A.M., 16 vjeçe, është nisur me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar”, thuhet në njoftim.

Sipas burimeve policore 34 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës, ndërsa 25 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pas asfiksimit nga gazi te gjimnazisteve ne gjimnazin e Shupenzës.

Siç behet me dije në njoftim për shtyp, ministria po ndjek nga afër situatën në Bulqizë, ku rreth 60 nxënës të shkollës së mesme të Shupenzës kanë shfaqur probleme shëndetësore si pasojë e vendosjes në punë të kaldajës në shkollën e mesme të Shupenzës.

Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor. /b.l/noa.al/