Transmetuar më 17-11-2017, 13:56

Një vajzë e re ka rënë pre e përndjekjes nga një djalë i ri, duke përjetuar momente ankthi dhe frike.

Gjatë ditës së sotme, pas denoncimit të vajzës, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për S.M, 22 vjeç, banues në fshatin Osnat të Pogradecit.

Procedimi ndaj tij erdhi pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme prej 3 vitesh ka përndjekur duke i shkaktuar ankth psikologjik 20 vjeçares.

Mësohet se i riu ishte fiksuar keq pas saj dhe i kërkonte lidhje intime, por pavarësisht refuzimit të saj, nuk hiqte dorë.

Ai e ndiqte kudo dhe për shkak të presionit të vazhdueshëm, 20 vjeçarja kishte nisur të përjetonte makth dhe frikë, duke e denoncuar atë në polici.

Lidhur me rastin, materialet për 22 vjeçarin u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Përndjekja”. /b.l/noa.al/