Transmetuar më 17-11-2017, 13:04

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me asfiksimin e nxënësve të shkollës së mesme në Shupenzë të Bulqizës. Ministria tha se numri i nxënësve të asfiksuar që po marrin mjekim ka shkuar në 27 nxënës, por situata është nën kontroll dhe për çdo emergjencë, ka vënë helikopterin në dispozicion.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë. 

Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja. Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor”, thuhet në njoftim.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu po ndjek nga afër situatën në komunikim të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore në terren dhe ka ngritur Task-Forcën e Emergjencës me mjek të specializuar për këtë ngjarje. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion Njësinë e Helikopterëve në rast se do të jetë e nevojshme transporti për mjekim më të specializuar në Tiranë.

Paraditen e sotme disa dhjetëra nxënës përfunduan në spital të helmuar. Sipas Policisë, helmimi i nxënësve ka ardhur nga tymi i druve, pasi ishte bllokuar oxhaku i shkollës teksa po provohej sistemi i kaldajave të ngrohjes. 

Në shkollën e mesme në qendër Shupenzë, janë ndezur kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambientit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambientet e brendshme të shkollës duke shkaktuar ndotje të ambientit.

Për pasojë janë asfiksuar dhe ndjerë keq nga ana shëndetësore disa nga nxënësit e kësaj shkolle, të moshave 16-18 vjeç. /b.l/noa.al/