Transmetuar më 17-11-2017, 12:24

I dyshuari për vrasjen e komisarit Artan Cuku, kërkon të rifitojë lirinë. Mikel Shalllari i cili ndodhet në “arrest me burg”, është paraqitur te Gjykata e Krimeve të Rënda me një kërkesë për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Ai kërkoi që ndaj tij të vendoset masa “detyrim paraqitje”, kërkesë e cila është rrëzuar nga gjykata e Krimeve të Rënda, duke e lënë në burg të akuzuarin për vrasjen e komisarit të policisë Artan Çuku, duke mos e ndryshuar masën e sigurisë. 

Avokati mbrojtës i të pandehurit, kërkoi seancë me dyer të mbyllura me pretendimin se klientit të tij i rrezikohej jeta. 

Komisari Artan Çuku u vra më 8 prill të këtij viti pranë banesës së tij në Tiranë për motive ende të panjohura, por që dyshohet se lidhen për shkak të detyrës.

Vrasja e komisarit dyshohet se lidhet me punën e tij kur drejtonte policinë e Vlorës  për shkak të rihapjes së një dosje të vjetër që solli arrestime të tjera. 

Në fund të vitit 2012, Cuku me iniciativën e tij ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda në Vlorë, mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur “Pusi i Mezinit”, mes dy grupeve kriminale, që zanafillën e ka në Spanjë.

Për këtë ngjarje është arrestuar edhe një person. Menjëherë pas arrestimit të tij, Cuku u kërcënua. Por, po për shkak të detyrës, po hetohet edhe një çështje e ndjekur po nga Artan Cuku, gjatë kohës që ishte në shërbim në strukturat e Policisë së Fierit. /b.l/noa.al/