Transmetuar më 17-11-2017, 11:51

Disa nxënës të një shkolle të mesme në Bulqizë janë asfiksuar nga tymi paraditen e sotme teksa janë ndezur kaldajat e ngrohjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, ndërsa nxënësit që kanë shfaqur probleme me shëndetin kanë shkuar për të marrë ndihmë mjekësore në qendrën spitalore në Shupenzë.

Nga veprimet paraprake të kryera ka rezultuar se në shkollën e mesme në qendër Shupenzë, janë ndezur kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambientit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambientet e brendshme të shkollës duke shkaktuar ndotje të ambientit.

Për pasojë janë asfiksuar dhe ndjerë keq nga ana shëndetësore disa nga nxënësit e kësaj shkolle, ku 16 prej tyre të moshave 16-18 vjeç, po transportohen për ndihmë më të specializuar drejt spitalit të Bulqizës.

Sipas bluzave të bardha raportohet se nxënësit të cilët kanë shfaqur probleme shëndetësore në frymëmarrje dhe të vjella pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia dhe grupi hetimor të cilët ndodhen në vendin e ngjarjes po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. /b.l/noa.al/