Transmetuar më 17-11-2017, 11:41

Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm në koncertin e mbajtur në kryeqytetin austriak “Vjena përshëndet Tiranën” kushtuar 105-vjetorit të shtetit shqiptar, ku merrnin pjesë artistë me famë botërore shqiptarë dhe të huaj si dhe personalitete të larta të Austrisë, ambasadorë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Meta u shpreh se arti mund të cilësohet si politika më e mirë, pasi sipas tij ai bashkon të gjitha kombet pa dallim.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që gjendem këtu mes shqiptarëve dhe austriakëve, midis figurave dhe personaliteteve të shquara të politikës, artit, kulturës dhe shkencës, mes miqsh të bashkuar nën moton “Arti është politika më e mirë që bashkon kombet”.

Dua t’ju falënderoj për ftesën dhe gjithashtu t’ju përgëzoj për marrjen e kësaj iniciative të shkëlqyer.  Arti, muzika, kultura dhe shkenca, jo vetëm që kanë magjinë për të ndërtuar ura mes popujve, por edhe për t’i paqësuar dhe për t’i bashkuar ata”, u shpreh Meta.

Më tej Presidenti theksoi se Shqipëria është shumë me fat që historikisht ka pasur mbështetjen e një miku të besueshëm dhe një aleati të fortë siç është Austria.

“Shqiptarët do të jenë përgjithmonë shumë mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të ofruar nga Austria për themelimin e shtetit të pavarur shqiptar, gjatë viteve më të vështira të ekzistencës së kombit shqiptar, kundër kërcënimeve të fqinjëve dhe synimeve të tyre për zgjerimin territorial në dëm të Shqipërisë.

Babi i kombit, Ismail Qemali vendosi të shpallë pavarësinë e Shqipërisë vetëm pasi kishte siguruar mbështetjen diplomatike për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët gjatë takimeve të tij në Vjenë dhe Budapest.

Sot, Austria vazhdon të na mbështesë, jo vetëm në përpjekjet tona për të ndërtuar një vend demokratik, të qëndrueshëm dhe modern, por është gjithashtu një avokate e rëndësishme në rrugën tonë të pakthyeshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Meta. /b.l/noa.al/