Transmetuar më 16-11-2017, 19:33

Falë një bashkëpunimi mes Holandës dhe Italisë, gjashtë shqiptarë kanë rënë në pranga. Në mesin e të ndaluarve është edhe një shtetase nga Polonia, të gjithë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Ndalimi i tyre është bërë në Amsterdam dhe Roterdam të Holandës.

Arrestimi u bë i mundur pas një hetimi dy palësh nga autoritetet Holandeze dhe ato të antimafias në Firence.

 Ata dyshohet se janë përgjegjës për vepra të shumta kriminale si trafikim ndërkombëtar të drogës, posedim të armëve dhe për pastrimin e parave të pista.

Hetimet kanë nisur që prej vitit 2015 nga qeliza e kësaj bande e cila operonte në Firence e drejtuar kryesisht nga shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Banda drejtonte trafikun e drogës duke importuar kokainë nga Amerika e Jugut në Holandë dhe më pas e tregtonte në disa vende evropiane, përfshirë Italinë dhe Anglinë, shkruan corrierenazionale.it.

Sipas të dhënave, grupi po tentonte të fuste në tregun italian para dy javëve të paktën 20 kilogramë kokainë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar, një ton drogë (140 kg kokainë dhe 700 kilogramë marihuanë), 4 milionë euro cash, tetë armë zjarri dhe municione luftarake se dhe një granatë dore.

Po ashtu janë sekuestruar dhe makina të shumta e pasuri të patundshme në Holandë, si dhe një biznes. /k.k/noa.al/