Transmetuar më 16-11-2017, 16:57

Banka Botërore ka prezantuar gjatë ditës së sotme Raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ku për Shqipërinë banka ka paralajmëruar një ngadalësim të rritjes ekonomike, si rrjedhojë e përfundimit të investimeve të mëdha të huaja dhe rritjes më të ngadaltë sesa pritej të partnerëve tregtarë.

Ekspertja e Bankës Botërore, Ilda Shijaku tha se rritja ekonomike do të jetë më e ulët pas përfundimit të projekteve të mëdha të TAP dhe Devoll dhe mosplanifikimit të projekteve të mëdha.

“Në dy vitet e ardhshme rritja do të bjerë për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha të investimeve të huaja”, deklaroi Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB për Shqipërinë.

Në tabelat e Bankës Botërore, parashikohet që rritja e vendit të jetë 3.8% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar më pas në 3.6% në vitin 2018 dhe 3.5% në vitin 2019. 

Kjo është në linjë me pritshmëritë e FMN-së, që në raportin e tetorit uli me 0.4 pikë përqindje parashikimin për zgjerimin ekonomik të vendit vitin e ardhshëm, nga 4.1% në 3.7%, duke përmendur gjithashtu shqetësimin për rënien e investimeve bruto dhe kërkesës së brendshme.

Raporti i sotëm i Bankës Botërore thekson se rritja më e ngadaltë sesa pritej në partnerët tregtarë mund të zvogëlojë eksportet e Shqipërisë dhe flukset hyrëse të IHD-ve, të cilat do të transmetoheshin në nivele më të ulëta të të ardhurave nga tatimet dhe investimeve publike dhe rritje më të ngadaltë të prodhimit.

Forcimi ekonomik, paralajmëroi banka, varet nga stabiliteti ekonomik dhe përmirësimi në klimën e biznesit për të rritur efikasitetin e gjykatave, menaxhimin e investimeve publike, aftësitë e punës dhe reformën në sektorin e energjisë. 

Periudha paszgjedhore do të ofrojë një mundësi për të avancuar në këto axhenda, të cilat duhet të informohen nga përpjekjet për të siguruar vazhdimin e reduktimit të varfërisë, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Banka vlerësoi uljen e borxhit nga qeveria edhe pse në një vit zgjedhor, por kritikoi politikën e saj për të përjashtuar nga taksat hotelet luksoze.

Ndërsa perspektiva e rritjes ekonomike mbetet pozitive për vendet e Ballkanit Perëndimor, ato vijojnë të jenë ende të ekspozuara ndaj risqeve. Pasiguritë e politikave ose ndryshimi i kahut të tyre, mund të ngadalësojë investimet dhe rritjen ekonomike.