Transmetuar më 16-11-2017, 09:38

Një operacion antidrogë i koduar “Ura e Muhurrit”, ka zbuluar dhe sekuestruar 20 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa duke vënë në pranga një person dhe dukse shpallur në kërkim një tjetër.

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas po transportonin me një automjet lëndë narkotike në aksin rural Zall-Dardhë – Muhurr, policia e Dibrës u vu në veprim.

Si rezultat i ndërhyrjes së befasishme të policisë në vendin e quajtur “Ura e Muhurrit”, është bërë ndalimi i automjetit ‘Suzuki’, me targa AA 084 FS me drejtues Asllan Canin.

Gjatë kontrollit në pjesën e bagazhit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy thasë me lëndë narkotike me peshë totale 20 kilogramë kanabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan në flagrancë Asllan Cani, 47 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe Ervin L., 22 vjeç, banues në Tiranë. Vepra penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u shpall në kërkim R.C., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy aparate celular dhe automjeti me të cilnin lëviznin.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al