Transmetuar më 16-11-2017, 07:30

Një vendim i posaçëm është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ku bashkëshortja e ish-Presidentit Bujar Nishani, Odeta Nishani është dëmshpërblyer me 70 milionë lekë të reja.

Kjo pasi zonja Nishani rezulton një nga pronarët e truallit të Kishës së “Shën Piu X” në Elbasan.

Qeveria argumenton në vendimin e saj se trualli i kalon Kishës, ndërsa pronarët do të shpronësohen në vlerën e 70 milionë lekëve të reja.

Bëhet fjalë për një truall me sipërfaqe 5 mijë metër katrorë, ndërsa thuhet se vendimi i qeverisë është marrë në zbatim të marrëveshjes së lidhur mes Shqipërisë dhe Vatikanit.

Më tej nënvizohet se, trualli i kalon fillimisht në pronësi Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila do të duhet të paguajë dhe shpenzimet prej 2 milionë lekësh për procedurat e shpronësimit.

Kjo ministri do të jetë ajo që më tej do të kryejë të gjitha procedurat e regjistrimit të kësaj prone në emër të Kishës Katolike Shqiptare. /a.y/noa.al