Transmetuar më 15-11-2017, 19:47

Motivacioni: “Për kontributin e tij të shquar e shumëdimensional në fushën e albanologjisë, të gjuhësisë shqiptare e ballkanike e të letërsisë shqipe; si studiues me interesa të shumanshme kërkimore për letërsinë arbëreshe dhe shqipe të Rilindjes, dialektologjinë arbëreshe dhe përgjithësisht filologjinë shqiptare; si pedagog, koordinator, themelues dhe drejtues i projekteve dhe institucioneve për lëvrimin dhe promovimin e kulturës arbëreshe në Kalabri e në mbarë botën shqiptare, si ambasador i kulturës arbëreshe dhe shqiptare në botë dhe lidhjes së saj me kulturën italiane”

Durrës, 15 Nëntor 2017 NOA.al – Universiteti “Aleksandër Moisiu” i ka akorduar Prof. Dr. Francesco Altimarit, profesor i Albanologjisë në Universitetin e Kalabrisë, titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”.

Titulli i nderit, u dha me motivacionin: “Për kontributin e tij të shquar e shumëdimensional në fushën e albanologjisë, të gjuhësisë shqiptare e ballkanike dhe të letërsisë shqipe; si studiues me interesa të shumanshme kërkimore për letërsinë arbëreshe e shqipe të Rilindjes, për dialektologjinë arbëreshe dhe përgjithësisht për filologjinë shqiptare; si pedagog, koordinator, themelues dhe drejtues i projekteve dhe institucioneve për lëvrimin dhe promovimin e kulturës arbëreshe në Kalabri e në mbarë botën shqiptare; si ambasador i kulturës arbëreshe dhe shqiptare në botë dhe lidhjes së saj me kulturën italiane”.

Programi përfshiu fjalën e hapjes dhe prezantimin nga Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, Rektore e UAMD, “Mbi kontributet akademike të Prof. Francesco Altimari”, Prof.as.dr. Suela Kastrati, Rekomanduese për Senatin Akademik të UAMD, Eugen Pepa, Rekomandues për Senatin Akademik të UAMD, Matteo Mandalà, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në Universitetin e Palermos, Itali, Giorgio Demetrio Gallaro, Ipeshkëv i Dioqezës së Horës së Arbëreshëve në Sicili.

Më tej u zhvillua leksion i hapur: “Trashëgimia kulturore dhe gjuhësore arbëreshe sot: si ta vlerësojmë atë përmes teknologjive të reja”, nga Prof. Francesco Altimari, profesor i Albanologjisë në Universitetin e Kalabrisë, Itali.

Ceremonia

Ceremonia akademike e dhënies së titullit të nderit u zhvillua në Sallën e Konferencave të Kampusit të ri universitar dhe në të morën pjesë personalitete nga fusha arsimit dhe shkencës, përfaqësitë diplomatike, një delegacion nga Italia si dhe shumë të ftuar të tjerë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski vlerësoi lart figurën dhe kontributet akademike të profesor Francesco Altimarit, si dhe u shpreh e nderuar që tashmë ai është pjesë e familjes së UAMD-së.

I ftuar në këtë event, Atasheu për Institucionet Akademike në Ambasadën e Republikës Italiane në Tiranë, Maurizio Polselli, u shpreh i lumtur për nderimin e një figure përbashkuese për kulturat e të dy vendeve, duke e cilësuar profesor Altimarin si një “figurë me cilësi të jashtëzakonshme morale dhe akademike”.

Mandalà: Titulli i dhënë, një gjest i madh i UAMD, i bën nder dhe komunitetit arbëresh

Matteo Mandalà, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të Albanologjisë në Universitetin e Palermos, e cilësoi ceremoninë si tejet domethënëse. “Profesor Altimari është vetë “shenjtëria” e shkencës. Ai për mua nuk është vetëm vëllai që nuk e pata, por përpjekja e përbashkët për ta transferuar dijen te mësuesit e përtej. Ne jemi xhuxha në shpatullat e gjigandëve si Altimari. Titulli i dhënë profesorit është një gjest të madh të UAMD-së pasi i bën nder jo vetëm atij, por edhe mbarë komunitetit arbëresh”, – u shpreh profesor Mandala në fjalën e tij.

Altimari: Misioni im, për të edukuar brezat e rinj

Në fjalën e tij falënderuese, Prof. Dr. Francesco Altimari u shpreh i ngazëllyer me vlerësimin. “Është një gjest shumë domethënës për mua. Faleminderit senatit akademik për titullin e nderit. Më keni dhënë më shumë merita sesa meritoj. Veprimtarinë time nuk e shoh si diçka të jashtëzakonshme, por si një mision që më është besuar për të edukuar brezat e rinj. Për mua nuk ka detyrë me të rëndësishme se kjo”, deklaroi ndër të tjera ai. Prof. Dr. Altimari dha gjithashtu sihariqin që po bëhen përpjekje të mëdha që trashëgimia shpirtërore arbëreshe në Itali të njihet dhe ruhet si pasuri botërore nga UNESCO.

Në përfundim të fjalës së tij, profesor Altimari mbajti një leksion të hapur me temë: “Trashëgimia kulturore dhe gjuhësore arbëreshe sot: si ta vlerësojmë atë përmes teknologjive të reja”.

Ceremoninë solemne e mbylli Prof. Dr. Lekë Sokoli, zv. Rektor i UAMD-së për kërkimin shkencor, i cili çeli zyrtarisht Vitin e Gjergj-Kastriotit – Skënderbeut (nëntor 2017-nëntor 2018).

Në aktivitetet për këtë vit të rëndësishëm, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, do të luajë rol qendror duke mirëpritur akademikë që nga Universiteti i Kalabrisë përtej Adriatikut, mandej duke i përcjellë në të gjitha universitetet shqipfolëse në Rajonin tonë.​