Transmetuar më 14-11-2017, 18:54

Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, publikoi sot vendimin për shtrenjtimin e ndjeshëm të çmimit për ujin e pijshëm, tarifën fikse, largimin e ujërave, etj.

njoftimin e publikuar sot nga ERRU, thuhet se “Komisioni Kombëtar Rregullator me vendim Nr. 47 datë 07.11.2017 miratoi tarifat e shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimit të ujërave të ndotura për shoqërinë ujësjellës kanalizime Tiranë sh.a”.

Sikurse shihet në tabelat që ju sjell noa.al, bashkia Tiranë dhe Këshilli Bashkiak i kontrolluar nga PS, kërkoi nga ERRU që çmimi i ujit të pijshëm nga 1 janari 2018 për qytetarët e thjeshtë të bëhet nga 45 lekë pa TVSH që është aktualisht në 65 ledkë pa TVSH për metër kub ujë.

ERRU pranoi dhe dyfishimin e tarifës për të gjithë familjarët nga 100 lekë në muaj në 200 lekë.

Ky dyfishim u bë edhe për të gjitha kategoritë e tjera, ente publike, privatë dhe kategori të veçanta, biznesi.

Sakaq ERRU ka rrëzuar të gjitha kërkesat e tjera të bashkisë Tiranë për shtrenjtimin e çmimit të ujit për shtetin dhe privatët.

Bashkia kërkoi që entet private të të paguajnë 190 lekë nga 135 që është sot. ERRU vendosi çmimin 155 lekë.

Për entet publike, çmimi nga 120 lekë u bë 140 ndërsa bashkia kërkoi 170 lekë.

Për klientë të veçantë, si prodhim pije freskuese e pishina, çmimi ishte 170 lekë dhe u kërkua të shkojë në 235 lekë, por ERRU vendosi të mos e ndryshojë vlerën.

Edhe për furrat e bukës bashkia kërkoi rritje, nga 95 lekë që është sot në 130 lekë. ERRU e rrëzoi edhe këtë kërkesë.

Vendimi i ERRU ngjalli reagime sot pasdite nga politika.

Opozita e kryesuar nga PD tha se shtrenjtimi vjen në kushtet kur UKT ka 70 për qind humbje në rrjet çka do të thotë se rritja e çmimit nuk e zgjidh çështjen.

“ERRU çuditërisht vendos të rrisë çmimin e ujit në Tiranë. Pavarësisht se UKT i ka humbjet në rrjet mbi 70%. Do të mjaftonte reduktimi i këtyre humbjeve që çmimi jo vetëm të mos rritej, por madje të ulej. ERRU, si rregull, duhet ta detyrojë UKT më parë të ulë humbjet. Por ERRU i bën fresk politikës së ditës, jo qytetarëve. Nëse UKT do kishte një plan biznesi serioz, çdo bankë do ta financonte, pa patur nevojë të rritet aspak çmimi ujit. Ndërkaq Veliaj ka dy vjet që mburret se e ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e UKT. Por qartazi gënjen! Me sa duket, do ta japin me koncesion. Por më parë po e kthejnë në fitimprurëse….sigurisht me lekët tona", thuhet në reagimin e ish nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Sakaq, partia “Zgjidhja” e biznesmenit Koço Kokëdhima, bëri thirrje sonte që qytetarët të mos e pranojnë këtë shtrenjtim.

“Qytetarë, refuzoni çmimin e ujit!”, – apelon z. Kokëdhima, pas vendimit të marrë nga Enti Rregullator për rritjen me 44 për qind të çmimit të ujit të pijshëm. Duke e konsideruar vendimin një gjobë të rëndë dhe abuzive mbi familjet dhe bizneset, Kokëdhima u bën thirrje qytetarëve që të të refuzojnë në bllok “gjobat e qeverisë dhe bashkisë”.

“Ky vendim është vulosja e një gjobe tjetër të rëndë dhe abuzive mbi familjet dhe bizneset në kryeqytet. Nuk ka asnjë bazë për të mbështetur rritjen drastike të çmimit të ujit në Tiranë”, – thotë ish deputeti socialist. /noa.al/