Transmetuar më 14-11-2017, 17:57

Shumë zhurmë po bëhet ditët e fundit mbi çështjen e kryetarit të Bashkisë Mallakastër, nën dyshimet se është dënuar në Itali për vjedhje. Vetë Kapllanaj tha një ditë më parë se nuk është dënuar dhe nuk ka kryer asnjë ditë burg në Itali.

Por çështja është politizuar pasi Partia Socialiste po kërkon shkarkimin e kryetarit të KQZ, Klement Zguri nën pretendimin se ka fshehur një shkresë mbi Kapllanajn.

NOA evidentoi në arkivin publik të KQZ se shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme ka mbërritur pranë KQZ më datë 16 tetor 2017. Një ditë më pas më 17 tetor ka dalë nga zyra e kryetarit të KQZ, Klement Zguri dhe i është shpërndarë anëtarëve të KQZ dhe për këtë ka firmosur sekretarja e anëtarëve të KQZ, sikurse e shihni në faksimilen që gjeni te galeria e fotove të këtij lajmi.

Kjo tregon qartë se anëtarët e KQZ e kanë marrë shkresën dhe për rrjedhojë, kreu aktual i KQZ nuk ka fshehur asgjë, sikurse pretendohet nga Partia Socialiste.

Për më tepër, në muajin shkurt të këtij viti kur kryetar i KQZ ishte Denar Biba i propozuar nga PS, në deklaratën zyrtare të datës 19 shkurt evidentohet se çështja “Agron Kapllanaj” është shqyrtuar nga KQZ, çka hedh poshtë pretendimin se Kapllanaj nuk është marrë në shqyrtim nga KQZ.

NOA.al u sjell më poshtë dhe në fotogaleri, faksimilen:

Në këtë deklaratë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, evidenton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vijim të komunikimeve publike për të ofruar transparencë mbi zbatimin e ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit,  informonte opinion publik se nga 140 deputetë, 121 prej tyre nuk kishin asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore; 19 prej tyre kishin të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

Sakaq, nga 19 anëtarë të Këshillit të Ministrave që nuk janë deputet, nuk ka asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore;

Kurse, nga 61 kryetar bashkie, 50 prej tyre nuk kishin asnjë të dhënë të shënuar në Formularin e Vetëdeklarimit apo në vërtetimet e gjendjes gjyqësore; 11 prej tyre kishin plotësuar të dhëna në një ose disa nga rubrikat në Formularin e Vetëdeklarimit, apo kanë shënime në vërtetimet e gjendjes gjyqësore.

“Nga shqyrtimi i dokumentacionit (formularë vetëdeklarimi, vërtetime të gjendjes gjyqësore, dokumentacion  dorëzuar nga vetë subjektet)  funksionarët publikë, Alban Zeneli, Andrea Marto, Arben Ristani, Armando Prenga, Adem Lala, Agron Kapllanaj, Artur Bardhi, Adriatik Zotkaj,Edi Paloka, Edmond Themelko, Fatmir Mehdiu, Parid Cara, Spartak Braho, Tom Doshi, Tërmet Peçi, Vladimir Kosta dhe Ylli Shehu kanë shënime në formularët  e vetëdeklarimit, por nuk janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit”, – thuhej ndër të tjera në deklaratën e KQZ më 19 shkurt të këtij viti.

Referuar nenit 45/3 të Kushtetutës dhe nenit 2 të ligjit 138/2015, përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim të formës së prerë, për një krim, kur janë vërtetuar të 3 këto elemente, në mënyrë kumulative.

Menjëherë pas kësaj daljeje publike të Hoxhajt, doli në media edhe shkresa që kryetari Biba i dërgoi Kryeministrit, Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, ku prezantonte rezultatet e verifikimit nga KQZ, ku mes emrave të zyrtarëve të tjerë ishte dhe ai i z.Kapllanaj. Z.Biba i demonstroi medieve pikërisht këto detaje.

Ditët e fundit ka nisur një fushatë nga Partia Socialiste me synim shkarkimin e kryetarit konsensual të KQZ, Klement Zguri, pikërisht mbi dyshimet se shkresa për Kapllanaj ishte mbajtur e fshehur.

Orët e fundit, deputetja e PS, Klotilda Bushka ngriti edhe një herë pretendimin se “kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri arkivoi pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin Agron Faslli Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, person ky, i cili rezulton se është dënuar nga gjykata e shtetit italian me vendim të formës së prerë për vjedhje”.

Bushka tha se “ne, deputetët e mazhorancës, i kemi paraqitur kryetarit të Kuvendit kërkesën për shkarkimin nga detyra të kryetarit të KQZ Klement Zguri për shkelje të rënda të ligjit të dekriminalizimit”.

Ajo tha se “vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij, pasi duhej të ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari i këtij komisioni si individ, organi që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj”.

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj foli dje, pak orë pasi kryeministri Edi Rama lajmëroi se po shikohej mundësia për shkarkimin e tij.

Sipas PS ai rezulton i dënuar në Itali me 2 vjet burg për vjedhje. Por duke folur për emisionin e gazetares Ilva Tare “Tonight”, Kapllanaj tha: “Nuk kam pasur asnjë çështje civile jo më penale as në Itali as në Shqipëri. Çfarë kam pas e kam deklaruar aty e ka pas PS, deklarimin tim ta kishin shqyrtuar në çdo kohë. Kam blerë një makinë që ishte e vjedhur, nuk më është ndaluar hyrja në Itali, kam rënë viktimë, pasi makina ka rezultuar e vjedhur. Gjatë viteve që kam në Itali nuk kam qenë asnjë ditë në burg. Çdo gjë e kam deklaruar në fillim, jam i hapur të hetohem”. /noa.al/