Transmetuar më 14-11-2017, 16:05

Damiana Bakiu është vogëlushja 12 vjeçare, e cila prej disa vitesh është e diagnostikuar me diabet. Ajo është një prej 1800 fëmijëve në Shqipëri, të cilët vuajnë nga kjo sëmundje, kostoja e së cilës në të shumtën e rasteve bëhet e papërballueshme për familjet e tyre.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Diabetit, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin miq në familjen e Damianës, për t’u dhënë një lajm të mirë, buxheti i vitit 2018 rimburson jo vetëm insulinën për diabetikët e çdo moshe, por edhe fishat e diabetit për të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Kjo do të thotë, mesatarisht 1.2 milionë lekë në vit kursim për familjet.

Për prindërit e Damianës, dhe jo vetëm, ky është një lehtësim. “Kemi vite që e presim dhe jemi të gëzuar që kjo do të realizohet,” thotë nëna e Damianës, e cila është detyruar të lerë punën për t’u kujdesur për vajzën e saj. “Është një ndihmesë shumë e madhe jo vetëm për ne, por për shumë fëmijë që vuajnë nga diabeti,” -shprehet kryefamiljari Bashkim Bakiu.

Kryeministri Rama tha se me këtë vendim, një barrë e madhe lehtësohet nga buxheti i familjeve. “Jemi këtu për t’u thënë se do t’ua lehtësojmë këtë barrë.

Është një barrë e madhe, por që na takon ne që ta marrim përsipër për fëmijët, pasi për familjet është hall i madh për t’u marrë me këtë sëmundje, që me përparimet e shkencës kam shumë besim që do të vijë dita më herët se vonë t’i gjendet një zgjidhje. Por, ndërkohë, ne na duhet të zgjidhim këtë që e kemi më imediate, që të paguajmë nga buxheti fishat për të gjithë fëmijët”, tha Rama. /b.l/noa.al/