Transmetuar më 14-11-2017, 15:23

Kryeministri Edi Rama dhe Gent Sejko ishin përballë njëri-tjetrit sot në Konferencën e dytë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, ku që të dy trajtuan në një pjesë të fjalimeve të tyre, çështjen e bilanceve të kompanive.

Z.Rama te fjalimi i tij evidentoi faktin se bankat e nivelit të dytë pranojnë bilanc të ndryshëm me atë që i jepet tatimeve, me qëllim që kompanitë të marrin kreditë që dëshirojnë.

Rama pohoi se kompanitë e mëdha deklarojnë dy bilance, njërin real, në banka dhe tjetrin “për të qarë hallin”, në organet shtetërore tatimore.

“Unë dua ta them shumë qartë; duke filluar nga viti ardhshëm shteti shqiptar, qeveria e Shqipërisë, administrata jonë tatimore nuk do të njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që disponojnë bankat. Historia e dy bilanceve, që kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë tregojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i vitit 2018”, – paralajmëroi z.Rama.

“Të gjitha kompanitë, – sigurisht, objektivi janë kompanitë e mëdha, – duhet ta kenë shumë të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit”, – shtoi kryeministri.

Kjo deklaratë e Ramës erdhi pak pasi z.Sejko në fjalën e tij, vlerësoi atë që ai e quajti “kontributi i sektorit bankar në luftën kundër informalitetit, një fenomen ky mjaft i dëmshëm, fatkeqësisht me një shtrirje ende të gjerë në ekonominë shqiptare, aq sa mund të konsiderohet një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit”.

Sejko këtu vuri gishtin edhe tek autoritetet shtetërore, konkretisht tatimet, duke i ngarkuar me përgjegjësi, kur tha se “përdorimi i të dhënave të certifikuara nga autoritetet, si përsa i takon bilanceve të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë, është kthyer në një domosdoshmëri”.

“Edhe në këtë drejtim, roli i sistemit bankar është tejet i rëndësishëm. Përdorimi i të dhënave të certifikuara nga autoritetet, si përsa i takon bilanceve të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë, është kthyer në një domosdoshmëri. Mbi të gjitha, ato janë masa prudenciale, të cilat rrisin nivelin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, veçanërisht në fushën e kredidhënies”, – tha z.Sejko.

Në fund ai kërkoi që bashkëpunimi “mes industrisë bankare, ekzekutivit shqiptar dhe Bankës së Shqipërisë, të thellohet më tej, në të mirë të prosperitetit ekonomik dhe financiar të vendit”. /noa.al/

_dsc8370-14