Transmetuar më 14-11-2017, 15:11

Historia e dy bilanceve, që kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë tregojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i vitit 2018. Ka dy vjet që e kemi bërë me dije dhe prandaj, të gjitha kompanitë, – sigurisht, objektivi janë kompanitë e mëdha, – duhet ta kenë shumë të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit

Nga Edi Rama

Nuk ishte shumë vite më parë, por disa vite më parë, kur kambanat e alarmit binin, natyrisht, për të gjithë ata që kishin veshë dhe një prej më kumbueseve ishte ajo e kredive të këqija, të cilat kishin tejkaluar nivelin e 24%, duke u bërë një kërcënim real. Kjo bëri që Shqipëria të hynte në 10-shen e vendeve më të pa lakmuar të botës, që sipas Bankës Botërore kishin nivelin më të lartë të kredive të këqija globalisht, duke i bërë shoqëri, përveç fqinjëve tanë jugor që vinin nga një moment traumatik të një krize financiare që përflaku të gjithë hartën financiare të botës, edhe shteteve si Xhibuti apo Taxhikistani.

Kjo ishte vetëm një nga simptomat e një sëmundje kronike, ku të gjithë treguesit kryesorë të ekonomisë ishin futur në një spirale progresive përkeqësimi, vit pas viti. Kanë kaluar vetëm katër vjet dhe falë reformave agresive të ndërmarra nga qeveria dhe duke nisur nga momenti i kthesës, kur qeveria njohu publikisht faktin se nuk mund dot të kërkonte kontribute nga të tjerët pa shlyer në radhë të parë, detyrimet e veta, e po ashtu dhe falë mbështetjes së eksporteve dhe sektorëve kyç të ekonomisë, treguesit ekonomikë filluan të japin shenja të qarta rigjallërimi. E sot jemi në një moment kur mund të shohim rezultate inkurajuese si pasojë e reformave të vështira, të dhimbshme për shumëkënd, por shëruese për ekonominë tonë.

Kreditë e këqija kanë rënë me 10 pikë dhe jemi në një minimum të pashënuar prej thuajse një 10-vjeçari, ndërkohë që ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësim. E në këtë operacion, padiskutim që sistemi bankar ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe sot shikojmë edhe një tjetër aspekt, fitimi i sistemit bankar, në 6 muajt e parë të këtij viti shënon dyfishim në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i lartë rekord i fitimeve të arritura nga sistemi bankar për gjashtëmujorin e parë, qysh prej 20 vjetësh, pra, faktikisht qysh nga momenti kur raportohen këto të dhëna në vitin 1999.

Kredia për sektorin privat, një tjetër element shumë domethënës ka shfaqur përmirësim të ritmeve të rritjes përgjatë tremujorit të tretë. Ky përmirësim vjen si rezultat, apo mbështetet kryesisht nga kërkesa më e lartë për financim. Megjithatë, pavarësisht zhvillimeve pozitive, sistemi bankar, i cili ka në ADN-në e vet mësimet e shumë të papriturave gjatë punës në Shqipëri, vazhdon të mbetet një sistem tradicionalisht skeptik përsa i përket rritjes ekonomike dhe besimit në ekonominë shqiptare e sidoqoftë, kur nga ky sistem tradicionalisht skeptik, ne dëgjojmë ato që sapo dëgjuam, apo të tjera si ato, ndjehemi shumë më tepër të inkurajuar për të ardhmen në afat të shkurtër, të mesëm, të ekonomisë sonë.

Nuk ka diskutim që kur flasim me ju, flasim me një kategori, ku faktet qëmtohen me shumë skrupulozitet përpara çdo hapi, përpara çdo vendimi dhe veprimi. Nisur nga fakti që sot kemi një tërësi rezultatesh të njohura si të mirëqenia prej jush, ne ndjejmë se kemi arsye për të qenë optimistë për të ardhmen e ekonomisë sonë, në përgjithësi dhe për sektorin bankar, në veçanti.

Më lejoni që të bëj vetëm një parantezë të vogël, me rrezikun e shkaktimit të të qeshurave tuaja, për t’ju thënë të gjithë atyre që na dëgjojnë se, nëse ka një sistem ku ekonomia informale, apo ajo e zeza nuk ka shans të penetrojë, ky është sistemi bankar. Nëse ka në Shqipëri, një sistem për t’u marrë shembull për nga qëndrueshmëria e shëndetshme në raport me ligjin dhe në raport me transparencën përsa i përket burimeve të fitimit, ky është sistemi bankar.

I them këto, sepse dje kam dëgjuar diçka që imagjinata që nuk më mungon, nuk ma kishte thënë kurrë se mund ta dëgjoja në të gjallë. Dëgjova që projektbuxheti i viti 2018 duhet të administrohet nga struktura ligjzbatuese si FBI, DEA, a ku di unë se çfarë, si një projekt, i cili është dokument që dëshmon se buxheti dhe përmes sistemit bankar, programi ynë “1 Miliardë për rindërtim” është tanimë në duart e krimit. Tani, ju të gjithë këtu jeni “në duart e krimit” dhe jo vetëm ju që jeni pa kufje, por edhe ata që janë me kufje. Madje, ata që kanë kufje janë “më të dyshuarit”. Kështu që është të qeshësh, por është dhe të qash, sepse këto janë sinjalet më dëmtore për konsumatorin dhe për opinionin, në tërësi.

Prandaj unë dua t’ju them të gjithë atyre që janë të detyruar të dëgjojnë të tilla shpërthime të imagjinatës, të qeshin dhe jo të qajnë. Të qeshin dhe të shkojnë përpara, sepse realiteti ekonomik, i cili pasqyrohet më së miri në çehren e sistemit bankar, është optimist.

Nga njëra anë, pikërisht se ju jeni një sistem i fakteve dhe nuk keni asnjë shans që të përfshini në mënyrën tuaj të të menduarit, dëshirat si realitet dhe nga ana tjetër, pikërisht se këtij sistemi, ne duam t’i referohemi në vijimësi përsa i përket pastrimit të gjithë atyre pengesave që vijnë nga e shkuara, guvernatori e preku, unë dua ta them shumë qartë; duke filluar nga viti ardhshëm shteti shqiptar, qeveria e Shqipërisë, administrata jonë tatimore nuk do të njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që disponojnë bankat.

Historia e dy bilanceve, që kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë tregojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i vitit 2018. Ka dy vjet që e kemi bërë me dije dhe prandaj, të gjitha kompanitë, – sigurisht, objektivi janë kompanitë e mëdha, – duhet ta kenë shumë të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit.

Përfitoj nga rasti, – edhe pse mund të mos ketë lidhje të drejtpërdrejtë me Konferencën, por prapë s’ka gjë që nuk ka lidhje me bankat, për fat të keq në botën ku jetojmë, – që sot, ne kemi 800 kompanitë më të mëdha të vendit që, imagjinojeni, deklarojnë se 42 % e punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri edhe inxhinierë. Pra, kemi të bëjmë me një shmangie të patolerueshme të detyrimeve ndaj punonjësve, duke ju dhënë gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën e rrogës nën dorë, duke ju kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin e natyrisht, një dëm të drejtpërdrejtë për arkën e shtetit dhe padyshim, për shoqërinë si e tërë.

Ajo që ka rëndësi, duke u kthyer përsëri në temë, është se rritja ekonomike e 2018-s do të vazhdojë të tregojë qëndrueshmëri. Faktikisht, qysh me të dhënat e këtij viti, që guvernatori i preku pak, ne jemi pothuajse katërfish më shumë rritje ekonomike, sesa kur morëm detyrën. Jo vetëm kaq, por do të mbështesim në buxhetin e vitit të ardhshëm, një paketë të plotë investimesh publike dhe do të sigurojmë financimin adekuat për sektorët prioritarë.

Kemi një shifër rekord investimesh nga buxheti, pothuajse 700 milionë euro të destinuara për vitin e ardhshëm. Ajo që e bën buxhetin veçanërisht të rëndësishëm në trendin historik është se investojmë 5.2% të Prodhimit të Brendshëm, ndërkohë që ulim borxhin publik me të paktën 2.5%. E nga ana tjetër sigurojmë 26 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e viti 2018, pa rritje taksash. 

Është një rritje të ardhurash që nuk mbështetet tek rritja e taksave.

Patjetër që zakoni i vjetër është që, sa herë ka një buxhet në horizont, qeveria të thonë fjalët më tronditëse pozitivisht, por ajo që vlen të theksohet për buxhetin e vitit 2018 është se nuk është një buxhet i ndërtuar mbi tejkalimin e forcës së dëshirës së realitetit ekonomik, nuk është një buxhet i ndërtuar me idenë e indulgjencave, apo të shpërblimeve, por është një buxhet i ndërtuar për të konsoliduar më tutje shtetin, duke rritur hapësirat për zhvillim ekonomik, për punësim real dhe për më shumë integrim social.

Investimet janë përqendruar pikërisht në ato fusha që kanë ndjeshmërinë më të madhe publike, por dhe që stimulojnë më shumë rritjen ekonomike. Arsimi dhe shëndetësia kanë një fluks investimesh më të lartë se asnjëherë tjetër. Po ashtu bujqësia ka një hop në financime. Këtu dua t’i rikthehem edhe një herë programit tonë të përbashkët me bankat, përmes Fondit të Garancisë Kombëtare për bujqësinë, ku shohim shenja inkurajuese, por ku ka vërtetë hapësirë për të parë më shumë, pasi ka gjithmonë e më shumë kërkesë nga ana e sektorit për të ecur më tutje me investime, të cilat adresojnë mangësitë lidhur me infrastrukturën e grumbullimit dhe të përpunimit të produkteve bujqësore.

42% më shumë do të investohet për infrastrukturën, krahasuar me vitin aktual dhe janë mbi 400 milionë euro që planifikohen vetëm në drejtim të infrastrukturës, asaj rrugore dhe asaj të ujësjellës-kanalizimeve. Është domethënëse, besoj, që kemi shpenzuar miliarda në të gjithë këto vite për të ndërtuar rrugë kombëtare, por nuk kemi sot, as edhe një rrugë kombëtarë të certifikueshme sipas standardeve të lëvizshmërisë dhe të sigurisë europiane. Qëllimi ynë është që asnjë segment i ri të mos ndërtohet i papërputhur me këto standarde dhe ndërkohë, segmentet ekzistuese të rindërtohen sipas këtyre standardeve.

Objektivi është që në katër vite të kemi rrugët kombëtare me standarde europiane. Shembulli më banal, por besoj shumë domethënës në krahasimin e standardeve, është se në Shqipëri, sa bie nata, ka vetëm një aks kombëtar me drita, Tiranë-Rinas. Pjesa tjetër është “ec përpara dhe suksese në jetë” deri në destinacion. Kjo gjë duhet të ndryshojë e këtë gjë, ne do ta ndryshojmë patjetër. 

Ndërkohë, paralelisht me investimet e drejtpërdrejta nga buxheti ka filluar edhe zbatimi i Programit “1 Miliardë për Rindërtim”, me negociatën që është drejt përfundimit për Rrugën e Arbrit dhe me një sërë projektesh të tjera që janë në radhë, duke u shqyrtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

Këtu përsëri i rikthehem temës së krimit, pasi, nëse ka një program ku nuk mund të diskutohet fare pastërtia e burimit të të ardhurave, është ky Program, i cili është i dizenjuar për të qenë një program falë bashkëpunimit të kompanive me bankat. Besoj që të gjithë e miratojnë se në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave, Shqipëria është një vend me të gjitha standardet më të larta të Bashkimit Europian dhe se nuk ka asnjë shans që të mund të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar. Bankat janë të gjitha të ftuara në këtë proces, ku sigurisht, ne presim një zhvillim të rëndësishëm edhe në aspektin e rritjes ekonomike, edhe në aspektin e rritjes së punësimit, edhe në aspektin e fuqizimit të integrimit social të vendit. 

Duke e mbyllur, e fundit, por jo për nga rëndësia, është ajo çka kemi diskutuar shpesh, edhe më parë. Ishte një dëshirë, sot është një realitet – Reforma në Drejtësi si legjislacion dhe Vetting-u si proces i miratuar ligjërisht. Tanimë, këto janë kaluar dhe sot, procesi i Vetting-ut ka nisur, duke çelur një rrugë shumë më tepër optimiste përsa i përket raportit të bankave me sistemin gjyqësor. Një raport shumë problematik në të shkuarën e deri më sot, për shkak të shumë shfaqjeve brutale të arbitraritetit në raport me ligjin dhe në dëm të sistemit, për të favorizuar subjekte për të cilat bankat ligjërisht kanë kërkuar marrjen e masave përkatëse për shkelje flagrante të raportit me to. 

Të gjitha këto besoj janë shprehje të një situate optimiste për ekonominë, por sigurisht që puna më e madhe mbetet ende për t’u bërë, ashtu sikundër edhe më e mira mbetet ende për të ardhur. 

Po e mbyll me një shprehje të Ismail Qemalit, që i shkon shumë, Konferencës po e po, por dhe të gjithë sistemit që kemi sot, është një dëshirë e realizuar e atit të shtetit shqiptar, i cili në vitin 1912 nisi punën për krijimin e një banke qendrore në Shqipëri, duke shkruar: “Një sistem i pavarur bankar në shërbim të ekonomisë së vendit do të ishte pavarësia e dytë e Shqipërisë”.

Pavarësia e dytë e Shqipërisë është një objektiv i realizuar, sepse sot, ne kemi një sistem të pavarur bankar në shërbim të ekonomisë së vendit dhe një Bankë të Shqipërisë, e cila mbetet një model rrezatues për çdo institucion të pavarur në letër dhe që kërkon të jetë dhe duhet të jetë i pavarur në realitet.

* Nga fjala e Kryeministrit në Konferencën e Shoqatës së Bankave për rritjen ekonomike 2018