Transmetuar më 14-11-2017, 13:02

Pak orë pasi kryeministri Edi Rama bëri thirrje për të mos marrë seriozisht akuzat e opozitës për pastrim parash me anë të pr/buxhetit 2018, Basha doli në një deklaratë për median ku nuk ndryshoi qëndrim.

Nga selia blu, kreu i PD-së Basha është shprehur se Shqipëria është në 3 vendet kryesore ku pastrohen paratë e pista të krimit.

“Në gusht 2017, një tjetër raportim ndërkombëtar për pastrimin e parave e renditi Shqipërinë si një nga 3 vendet kryesore me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave në Evropë. Janë me qindra milionë euro të prodhuara nga droga në duart e kriminelëve që duan t’i qarkullojnë”, u shpreh Basha.

Më tej ai theksoi se nuk ka dyshim se bumi i beftë i ndërtimit kur vendi është në krizë dhe ka mijëra apartamente të pa shitura, është rezultat i parasë që vjen nga droga.

“Nuk ka dyshim se ato koncesione që jep Edi Rama ku emrat e koncesionarëve fshihen në parajsa fiskale mund të jenë skema të pastrimit të parave të drogës. Nuk ka dyshim se koncesionet që Edi Rama i mban të fshehura mund të jenë pastrim i parave të drogës.

Ka një parim themelor ekonomik; paraja e pistë përzë paranë e ndershme. Në Shqipëri, në katër vite nuk ka asnjë investim të huaj. Investimet e brendshme janë në rënie”, shtoi Basha.

Sipas kryedemokratit, paratë nuk i pastrojnë vetëm kriminelët por edhe politikanët që i marrin nga kriminelët. “Edi Rama i ftoi sot shqiptarët që të mos i marrin seriozisht akuzat "Projekti 1 miliard dollarë" të ndalet.

Çdo koncesion të hetohet me transparencë. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë të hetojnë pastrimin e parave në çdo akt koncesioni dhe tenderi qeveritar. Është koha ti themi ndal Edi Ramës e krimit”, tha Basha. /b.l/noa.al/