Transmetuar më 14-11-2017, 12:51

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, të organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bonn të Gjermanisë.

Rritja e financimeve në kuadër të përpjekjeve për të luftuar ngrohjen globale dhe promovimi i investimeve të gjelbra, ishin në fokusin e kësaj Konference, ku Tirana u përzgjodh si një shembull suksesi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe BERZH-it në financimin e projekteve miqësore me mjedisin dhe që ndikojnë në lehtësimin e problemeve klimaterike.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që puna e bërë në këto dy vite, por edhe vizioni i Bashkisë së Tiranës për të investuar në projektet miqësore me ambientin, e kanë bërë që të merret si një shembull suksesi edhe në takime të tilla kaq të rëndësishme.

“Jam shumë entuziast që Tirana është përzgjedhur nga BERZH-i si një histori suksesi për mënyrën se si ka transformuar administrimin e qytetit me një qasje më pozitive, më miqësore ndaj mjedisit, me korsi të dedikuara biçikletash. Jemi ende larg, megjithatë besoj se tashmë Tirana është një histori suksesi që meriton të vazhdojë në këtë drejtim”, tha Veliaj.

Ai veçoi vendimin e Bashkisë së Tiranës për të testuar dhe për të revolucionarizuar të gjithë transportin publik në Tiranë, nga mjete me naftë dhe ndotëse të ambientit, në mjete tërësisht elektrike dhe ekologjike.

“Ne kemi mbaruar me sukses testimin e autobusit elektrik në Tiranë dhe ky është një rast tjetër për t’u bërë apel të gjitha kompanive që janë sot operatorë, të fillojnë dhe të bëjnë porositë e tyre për autobusët elektrik. Ky është një apel për kompanitë që nuk ofrojnë shërbime në Tiranë, nëse kanë autobusë elektrikë qoftë me qira apo në pronësi dhe duan të vijnë të marrin një licencë në qytetin e Tiranës, ne automatikisht do t’i japim prioritet dikujt që sjell autobusë elektrikë krahasuar me dikë që ka autobusë me naftë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës. 

Ai dha një lajm të mirë që do prekë të gjithë qytetarët e Tiranë dhe në mënyrë të veçantë ata që jetojnë në zonën e Unazës së Madhe dhe Kasharit, dhe që ka të bëjë me furnizimin e ujit. Kryebashkiaku bëri të ditur se falë vendimmarrjeve të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës, UKT është kthyer në një ndërmarrje e besueshme nga bankat për të marrë kredi dhe për të kryer investimet e nevojshme në rrjet dhe kapacitetet përpunuese.

“Sapo kemi dakordësuar me BERZH-in kredinë e parë, pas gjithë vendimeve të vështira që morëm për Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës, sot jemi më të kreditueshëm dhe më të besuar nga ana financiare. Kjo na mundëson që të marrim një kredi fillestare brenda këtij viti për të bërë investimin që dyfishon sasinë e filtrimit nga Bovilla dhe sigurisht pastaj për të vazhduar me investimin që vjen nga Bovilla deri tek zona e Unazës së Re, një nga zonat problematike të kësaj vere”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. 

Kryebashkiaku evidentoi se me mundësitë për të marrë kredi por edhe me performancën e UKT-së do të bëhet e mundur që brenda 5 vitesh Tirana t’i japë fund problemit me furnizimin me ujë. /b.l/noa.al/