Transmetuar më 13-11-2017, 20:23

EKSKLUZIVE - Kur banorët e fshatit Drisht në komunën Postribë të Shkodrës, pyesnin familjen Facaj, atë vjeshtë të vitit 1998, se ku ndodhej e bija, Afërdita, ata ngurronin të tregonin, duke shpërndarë mjegull mbi vendndodhjen e saj.

Në fakt, Afërdita Facaj, 19 vjeçe, kishte ikur nga kjo botë, e masakruar me një hekur pas koke. Më tej ishte groposur dhe ashtu mbeti për nëntë vjet me radhë.

Gjithë këtë kohë, banorët përfolnin se të bijën e kishin hequr i ati me gruan e tij të dytë, njerka.

Por askush nuk doli të thotë në organet e drejtësisë, këtë dyshim të fortë.

Guximin e mori njerka, më 9 mars 2007. Nurije Facaj shkoi në polici dhe u rrëfye: Afërditën e vrava unë dhe e groposa për të fshehur gjurmët.

Por a ishte ajo, autorja e vërtetë e vrasjes, apo po mbulonte të shoqin, Brahim Facaj që këtë të diel (dje), vdiq në spitalin e Tiranës (QSUT).

Për më tepër, edhe vetë Brahimi këmbëngulte që nuk e vrau e shoqja, por ai, për nder.

Këtë mister, ndonëse një kalvar shqyrtimesh gjyqësore e përshkoi për vite me radhë, duket se do ta marrë me vete Brahimi që vdiq, sa kohë që e shoqja Nurija, as sot nuk tregon një version tjetër të atij që tha atë janar të dhjetë viteve më parë.

Ndonëse Nurija u rrëfye si vrasësja, policia dhe prokuroria nuk e besuan fort. Ato kryen përgjime të çiftit dhe hamendësuan se autor ishte i ati dhe jo njerka e Afërditës.

Por pse u vra Afërdita?

Për dy vjet e gjysmë, vajza shkoi në Itali, ku shumëkush tha se bëri prostitutën.

Kur u kthye, u strehua tek i ati dhe njerka, por turpi që kishte ndodhur e kishte shkatërruar rutinën normale të kësaj familjeje.

Atë vit të largët të 1998-ës, Afërdita hyri në dhe, jo me një varrim normal, por e groposur për të fshehur vdekjen e saj.

E për nëntë vite rresht, i ati dhe njerka jetonin me kufomën e vajzës të groposur fare pranë shtëpisë së tyre.

Afërdita Facaj, ose Drita siç e thërrisnin, ishte fëmija i madh i Brahimit. Në moshë të vogël, i vdiq e ëma dhe Brahimi u martua me Nurije me të cilën pati dhe dy fëmijë.

Drita shkoi në Itali pasi u martua e re dhe kur u kthye erdhi me nënë e një djali.

Ditën që u kthye nga Italia, ajo u vra. Fëmijën e saj e rriti Brahimi derisa u bë 12 vjeç kur edhe i akuzuari përfundoi në burg. 

Gjykata e Rrethit në Shkodër, më 3 korrik 2008 e dënoi Brahimin me 25 vjet burgim dhe të shoqen me 15 vjet të tjera, me akuzat e vrasjes në bashkëpunim dhe fshehjes së krimit.

Ky vendim, u ankimua në gjykatën e Apelit Shkodër. Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin e datës 14 janar 2009 duke ulur me pesë vjet dënimin për Brahimin.

NOA.al ju sjell detajet e kalvarit gjyqësor.

Në vitin 2012, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mori në shqyrtim çështjen duke analizuar vendimet.

Në të gjitha rastet, doli se e gjykuara Nurije Facaj ka dhënë shpjegime të hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur, duke ia atribuuar të gjitha fajet vetes së vet.

Këtu gjykata e Lartë nxjerr një tjetër fakt domethënës: “I gjykuari, Brahim Facaj në momentin e krimit ka qenë i shtruar në spital, sepse ka qenë i dëmtuar nga shpërthimi i një dinamiti, kjo vërtetuar me shenjat që ai i ka në fytyrë. Prokuroria në asnjë moment nuk ka sjellë një provë që të hedhë poshtë këtë pretendim të gjykuarit Brahim Facaj”.

Në këtë pikë, Gjykata e Lartë citon se “në nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale thuhet se çdo dyshim shkon në favor të të pandehurit.

Kurse shton: “Është e pamundur që babai biologjik i saj të ketë kryer këtë vrasje, pasi në asnjë rast nuk provohet një gjë e tillë. Në momentin e ardhjes së viktimës nga shteti Italian në qytetin e Shkodrës, viktima është shoqëruar nga i ati i saj Brahim Facaj, të cilët kanë udhëtuar natën nga Shkodra për në fshatin Drishtë rreth 40 km në këmbë dhe natën, mundësia e vrasjes së saj nga ky i fundit ka qenë shumë e përshtatshme por ky i gjykuar nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë duke e ditur që vajza e tij ka rreth 4 vjet që jeton në Itali duke ushtruar detyrën e prostitutës. E vetmja akuzë që mund t’i bëhet të gjykuarit Brahim Facaj është ajo e “Moskallzimit të krimit”, pasi ka qenë lidhja familjare me bashkëshorten e tij që nuk ia ka detyruar një gjë të tillë”.

Më tej, pohon: “Ngjarja ka ndodhur nga një ngatërresë e çastit mes viktimës dhe të gjykuarës. E gjykuara, duke mos pasur dhimbshmërinë e fëmijës, e ka goditur atë pas kokës me një kmese, si rezultat i kësaj goditjeje viktima ka gjetur menjëherë vdekjen”.

Megjithatë, në fund, Gjykata e Lartë është bazuar te përgjimet ndaj çiftit, ku janë mbështetur fort te deklarimi i Nurijes se atë gjë e kishte bërë i shoqi.

Ndaj gjykata e Lartë, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër për të gjykuarin Brahim Facaj për deklarimin fajtor për veprën penale të vrasjes me dashje, duke hequr bashkëpunimin në bazë të nenit 25 të Kodit Penal.

Po ashtu vendosi ndryshimin e këtij vendimi, për të gjykuarën Nurije Halil Facaj duke e deklaruar fajtore për veprën penale të “Fshehjes së kufomës” dhe dënimin e saj me 5 vjet burgim.

Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të gjykuarës Nurije Halil Facaj, për efekt të vuajtjes së dënimit me burgim.

NOA ju sjell më poshtë, vendimin e plotë dhe detajet e parashtruara në dosjen “Afërdita Facaj”.

Nr.52104-00678-00-2009 i Regj. ThemeltarNr.00-2012-536 i Vendimit (101) VENDIMNË EMËR TË REPUBLIKËS

 

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

 

Gani Dizdari               Kryesues

Arjana Fullani             Anëtare

Aleksandër Muskaj     Anëtar

Shkëlzen Selimi           Anëtar

Edmond Islamaj          Anëtar

 në seancën gjyqësore të datës 11.04.2012, mori në shqyrtim çështjen penale, që u përket:

 

KËRKUES:                      PROKURORIA PRANË GJYKATËS            SË RRETHIT GJYQËSOR SHKODËR

TË PANDEHUR:                         BRAHIM FACAJ

                                          NURIJE FACAJ

 

A K U Z U A R:

Për kryerjen e veprës penale të

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim,

parashikuar nga neni 78/1-25 i K.Penal.

 

                                               

            Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.264, datë 03.07.2008, ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Brahim Shaban Facaj për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 - 25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të së pandehurës Nurije Halil Facaj për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 -25 i K.Penal dhe dënimin e saj me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.

Vuajtja e dënimit për të pandehurit fillon nga ndalimi i tyre dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Eshtrat e viktimës Afërdita Brahim Facaj të varrosen konform ligjit “Për Gjendjen Civile”, ndërsa rrobat e saj të sekuestruara të asgjësohen si send pa vlerë.

Shpenzimet procedurale në ngarkim të pandehurve solidarisht.

 

Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.08, datë 14.01.2009, ka vendosur:

Ndryshimin e këtij vendimi nr.264, datë 03.07.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si më poshtë:

 

Deklarimin fajtor të të pandehurit, Brahim Shaban Facaj për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurës, Nurije Halil Facaj për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 15 vjet burgim.

Lënien në fuqi të vendimit lidhur me vuajtjen e dënimit, llojin e burgut, disponimin për provat materiale e shpenzimet procedurale (pikat 3, 4, 5 e 6 të dispozitivit).

 

Kundër vendimit të mësipërm të gjykatës së apelit kanë ushtruar rekurs të gjykuarit, Brahim Facaj dhe Nurije Facaj, të cilët kërkojnë prishjen e vendimit të mësipërm të gjykatës së apelit, duke parashtruar këto shkaqe në rekurset e tyre:

 

Shkaqet e rekursit të paraqitura nga i gjykuari Brahim Facaj:

-          Vendimi i mësipërm i gjykatës së apelit është i pabazuar në ligj dhe në prova.

-          Procedimi penal fillon nga vetë thëniet e të gjykuarës Nurije Facaj, e cila pas 9 vjetësh ka vendosur të paraqitet pranë organeve të prokurorisë për të bërë kallzimin e kësaj vrasje nga ana e saj.

-          E gjykuara Nurije Facaj ka dhënë shpjegime të hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur, duke ia atribuar të gjitha fajet vetes së vet.

-          E gjykuara Nurije Facaj si në shpjegimet e saj në fazën hetimore dhe atë gjyqësore herë e merr përsipër vrasjen dhe herë ia atribuon bashkëshortit të saj, të gjykuarit Brahim Facaj.

-          I gjykuari, Brahim Facaj në momentin e krimit ka qenë i shtruar në spital, sepse ka qenë i dëmtuar nga shpërthimi i një dinamiti, kjo vërtetuar me shenjat që ai i ka në fytyrë. Prokuroria në asnjë moment nuk ka sjellë një provë që të hedhë poshtë këtë pretendim të gjykuarit Brahim Facaj.

-          Sipas akt–ekspertimeve të paraqitura nga organi i akuzës nuk përcaktohet me saktësi mjeti i përdorur me të cilën janë shkaktuar dëmtimet, sipas këtij akti viktima është goditur me mjete mprehës dhe organi i akuzës është shprehur që viktima është goditur me një mjet të fortë.

-          Po nga këto akt ekspertime nuk përcaktohet me saktësi koha e vdekjes së viktimës. Në nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale thuhet se çdo dyshim shkon në favor të të pandehurit.

 

Shkaqet e rekursit të paraqitura nga e gjykuara Nurije Facaj:

-          E gjykuara Nurije ka pranuar autorësinë e vrasjes duke e pranuar autorësinë, duke treguar me vullnetin e saj të lirë komplet mekanizmin e ngjarjes dhe në asnjë rast ajo nuk përmend elementet e bashkëpunimit të saj me bashkëshortin, pra mungon bashkëpunimi si rrethanë rënduese në dënimin e saj.

-          Gjykata e apelit nuk ka marrë parasysh shkeljet e rënda që ka lejuar gjykata e shkallës së parë, ku e gjykuara në seancën e datës 21.02.2008 është gjykuar pa avokat, edhe pse e pandehura është me aftësi të kufizuara fizike, mungesa e dëgjimit, etj. E gjykuara duhet të ishte mbrojtur detyrimisht me avokat, pasi pikërisht në këtë seancë nga ana e gjykatës janë marrë provat më kryesore me dëshmitarë.

-          Ngjarja ka ndodhur nga një ngatërresë e çastit mes viktimës dhe të gjykuarës. E gjykuara, duke mos pasur dhimbshmërinë e fëmijës, e ka goditur atë pas kokës me një kmese, si rezultat i kësaj goditjeje viktima ka gjetur menjëherë vdekjen.

-          Është e pamundur që babai biologjik i saj të ketë kryer këtë vrasje, pasi në asnjë rast nuk provohet një gjë e tillë. Në momentin e ardhjes së viktimës nga shteti Italian në qytetin e Shkodrës, viktima është shoqëruar nga i ati i saj Brahim Facaj, të cilët kanë udhëtuar natën nga Shkodra për në fshatin Drishtë rreth 40 km në këmbë dhe natën, mundësia e vrasjes së saj nga ky i fundit ka qenë shumë e përshtatshme por ky i gjykuar nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë duke e ditur që vajza e tij ka rreth 4 vjet që jeton në Itali duke ushtruar detyrën e prostitutës.

-          E vetmja akuzë që mund t’i bëhet të gjykuarit Brahim Facaj është ajo e “Moskallzimit të krimit”, pasi ka qenë lidhja familjare me bashkëshorten e tij që nuk ia ka detyruar një gjë të tillë.

 

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi; prokurorin Hysen Keta, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr.8, datë 14.01.2009 të Gjykatës së Apelit Shkodër; dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N

Vendimi nr.8, datë 14.01.2009 i Gjykatës së Apelit Shkodër nuk është i mbështetur në prova dhe në ligj dhe si i tillë duhet të ndryshohet.

I.                   Rrethanat e faktit

Nga shqyrtimi gjyqësor në gjykatën e apelit rezulton të jenë provuar këto rrethana fakti:

1.      Të gjykuarit Brahim Facaj dhe Nurije Facaj janë bashkëshortë dhe banojnë në fshatin Drisht, Komuna Postribë, Qarku Shkodër. Për të gjykuarin Brahim Facaj është martesa e dytë, ku nga martesa e parë me shtetasen Sanije Tafa, e cila ka vdekur, ka pasur dy fëmijë: Zogë Facaj dhe viktimën Afërdita Facaj. Pas vdekjes së gruas së parë është martuar me të gjykuarën Nurije Facaj, me të cilën ka dy fëmijë të tjerë: Fiqiri Facaj dhe Vjollca Facaj.

2.      Për shkak të moshës së miturisë të dy vajzat e të gjykuarit janë rritur nga e gjykuara Nurije deri sa ato janë martuar. Pas martesës së vajzës së madhe Zogë Facaj me ndërmjetësimin e saj në vitin 1992 është martuar edhe viktima Afërdita me shtetasin Bejto Dyli, banor i fshatit Guri i Zi të Rrethit Shkodër. Nga kjo martesë viktima ka lindur dy fëmijë ku vajza, e para ka vdekur e porsa lindur, ndërsa në vitin 1994 ka lindur djalin Nevil Dyli. Meqenëse marrëdhëniet bashkëshortore nuk i kishte të mira, viktima së bashku me djalin e saj është larguar në Itali ku ka qëndruar për rreth dy vjet e gjysëm.

3.      Në vitin 1998 viktima së bashku me fëmijën është kthyer në Shqipëri dhe ka shkuar në shtëpinë e të gjykuarve. I gjykuari Brahim Facaj me autoritetin e babait i ka kërkuar viktimës që të mos largohej më në Itali, por të qëndronte në Shqipëri në shtëpinë e tij ku të rriste djalin. Për shkak të mentalitetit që kishte dhe të zakoneve të zonës i gjykuari e ndjente veten të fyer që vajza e tij ishte larguar nga shtëpia e burrit pa lejen e tij, si dhe ishte larguar në Itali, ku sipas zërave që qarkullonin në rrethin e familjarëve kishte punuar si prostitutë.

4.      E gjykuara Nurije Facaj ka asistuar gjatë gjithë kohës në debatin që bashkëshorti i saj Brahim Facaj ka patur me vajzën e tij dhe ka qenë në dijeni të mendimit që ai kishte për sjelljen e vajzës.

5.      Viktima nuk rezulton t’i jetë bindur autoritetit të të gjykuarit dhe ditën e vrasjes është larguar nga banesa. Në darkë vonë në një datë të papërcaktuar në vjeshtën e vitit 1998 i gjykuari Brahim Facaj është kthyer në shtëpi. Pasi nuk ka gjetur viktimën në shtëpi, ka pyetur të gjykuaren Nurije se ku kishte shkuar ajo. Fakti që viktima ishte larguar pa lejen e tij e ka nervozuar dhe me mbërritjen e saj në shtëpi në orët e vona midis tyre ka patur debat. Shkak ka shërbyer fakti që viktima ishte larguar nga shtëpia pa leje dhe kthimi në orët e vona, si dhe deklarimi i saj se ajo do të ikte përsëri në Itali.

6.      Gjatë debatit i gjykuari Brahim është acaruar dhe për pasojë e ka goditur viktimën Afërdita në pjesën e pasme të kokës me një send të fortë hekuri. Si rezultat i dëmtimeve të shkaktura në masën trunore i është shkaktuar vdekja e menjëhershme. Gjatë debatit dhe goditjes ka qenë prezent dhe e gjykuara Nurije Facaj, e cila nuk ka marrë pjesë me veprime aktive. Pasi kanë konstatuar vdekjen, të gjykuarit kanë transportuar trupin e viktimës në afërsi të shtëpisë, ku edhe e kanë varrosur.

7.      Të gjykuarit Brahim dhe Nurije Facaj kanë fshehur gjurmët e krimit pas vrasjes duke përhapur fjalë se viktima ndodhej jashtë shtetit në Itali dhe se nuk kishin asnjë kontakt me të. Gjatë kësaj kohe e gjykuara Nurije Facaj është kujdesur për djalin e viktimës, të cilit i është thënë se nëna e tij ndodhej ne Itali.

8.      Vrasja e viktimës Afërdita Facaj është mbajtur e fshehur prej të gjykuarve të cilët ishin të vetmit persona të pranishëm dhe që kishin dijeni fillimisht për vrasjen, ndërkohë që fëmija e viktimës për shkak të moshës nuk ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

9.   Me kalimin e viteve në rrethin familjar janë përhapur zëra për vrasjen prej të gjykuarit Brahim të vajzës së tij Afërdita. Fakti i vrasjes dhe i varrosjes së saj mbapa shtëpisë është mbajtur i fshehur nga opinioni për shumë vite.

10. Në datë 09.03.2007 e gjykuara Nurije Facaj është paraqitur në seksionin e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku ka deklaruar vrasjen prej saj të vajzës së bashkëshortit si dhe të vendit se ku është varrosur kufoma.

11. Prokuroria, në bazë të këtij kallzimi, ka filluar çështjen penale për vrasjen e shtetases Afërdita Facaj. Në bazë të të dhënave të siguruara nga e gjykuara Nurije Facaj është ushtruar kontroll në banesën e vjetër të të gjykuarit Brahim Facaj, ku në një distancë prej 20 (njëzet) metrash janë gjetur eshtrat e një kufome në një stad të zhvilluar të dekompozimit. Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nga kqyrja që i janë bërë eshtrave, janë konstatuar disa thyerje të kafkës së kokës në anën e majtë dhe të pasme të kafkës dhe shkaku i vdekjes është kontuzioni i trurit. Gjithashtu, në bazë të analizës së ADN-së provohet se nga krahasimi i strukturës gjenetike të eshtrave me ato të të gjykuarit Brahim Facaj ka një përputhje, e cila provon se ato i përkasin vajzës së tij Afërdita Facaj.

12. Në kushtet kur vdekja e Afërdita Facaj ka ardhur jo për shkaqe natyrore, por për shkak të dëmtimeve trupore të marra me mjet të fortë mbretës, dëmtime këto të papajtueshme me jetën dhe që kanë sjellë vdekjen, prokurori ka filluar çështjen penale.

13. Prokurori, në përfundim të hetimeve ka ngritur ndaj të gjykuarve akuzën e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.

II.                Procedurat gjyqësore

14. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.264, datë 03.07.2008, ka vendosur:

 i. Deklarimin fajtor të të pandehurit Brahim Shaban Facaj për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 - 25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.

 ii. Deklarimin fajtor të së pandehurës Nurije Halil Facaj për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 -25 i K.Penal dhe dënimin e saj me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.

 iii. Vuajtja e dënimit për të pandehurit fillon nga ndalimi i tyre dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

 iv. Eshtrat e viktimës Afërdita Brahim Facaj të varrosen konform ligjit “Për Gjendjen Civile”, ndërsa rrobat e saj të sekuestruara të asgjësohen si send pa vlerë.

 v.  Shpenzimet procedurale në ngarkim të pandehurve solidarisht.

15. Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin nr.08, datë 14.01.2009, ka vendosur:

Ndryshimin e vendimit nr.264, datë 03.07.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si më poshtë:

i.  Deklarimin fajtor të të pandehurit Brahim Shaban Facaj për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim.

ii.   Deklarimin fajtor të së pandehurës, Nurije Halil Facaj për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76 e 25 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 15 vjet burgim.

iii.    Lënien në fuqi të vendimit lidhur me vuajtjen e dënimit, llojin e burgut, disponimin për provat materiale e shpenzimet procedurale (pikat 3, 4, 5 e 6 të dispozitivit).

16.   Kundër vendimit të mësipërm të gjykatës së apelit kanë ushtruar rekurs të gjykuarit, Brahim Facaj dhe Nurije Facaj, të cilët kërkojnë prishjen e vendimit të mësipërm të gjykatës së apelit, duke parashtruar shkaqet e paraqitura në pjesën hyrëse të vendimit.

III.             Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar

17.   Gjykata e apelit, mbasi ka bërë një vlerësim të ri të provave në bazë të nenit 152/1 të K.Pr.Penale, ka arritur në konkluzionin se: “...gjykata e apelit e gjen të drejtë konkluzionin e gjykatës së shkallës së parë lidhur me autorësinë e vrasjes së shtetases Afërdita Facaj, cilësimi ligjor i saj është i gabuar për shkak se nga gjykimi i çështjes nuk u provua që të pandehurit ta kenë kryer vrasjen me paramendim. Viktima ka shkuar rastësisht në banesën e të atit dhe gjatë kësaj vizite ka lindur debati rreth mënyrës së jetesës së saj. Ka qenë rrjedhojë e këtij konflikti edhe goditja me pasojë vdekjen e viktimës. Pavarësisht motivit të vrasjes, fyerja në nderin e të pandehurve, nuk rezulton i provuar fakti se ata kanë planifikuar më herët vrasjen e viktimës... për gjykatën nuk është i mjaftueshëm ky motiv për të arritur në konkluzionin se nga ai ka lindur mendimi kriminal për përgatitjen kohë më parë e më pas vrasjen e saj... elementët e paramendimit në kryerjen e kësaj vepre rezultojnë thjesht të hamendësuar dhe të pa provuar, në këto kushte gjykata e apelit i cilëson veprimet kriminale të të pandehurve sipas neneve 76 e 25 të K.Penal, duke i gjetur fajtorë në kryerjen e vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim...”.

IV.             Në lidhje me rekursin e paraqitur

18. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se rekursi i të gjykuarës Nurije Facaj duhet të pranohet dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër nr.8, datë 14.01.2009 duhet të ndryshohet për zbatim të gabuar të ligjit procedural dhe material në lidhje me kualifikimin e veprës penale për këtë të gjykuar.

19. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon se kualifikimi nga gjykata e apelit i veprimeve të së gjykuarës Nurije Facaj si vrasje me dashje, vepër penale e parashikuar nga neni 78 e 25 i Kodit Penal[1] është i gabuar, duke arritur në konkluzionin se me veprimet e saj ka kryer veprën penale të fshehjes së kufomës të parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal.[2]

20. Në bazë të provave të shqyrtuara në të dy shkallët e gjykimit ka rezultuar e provuar se e gjykuara Nurije Facaj ka qenë prezent në momentin e vrasjes së viktimës Afërdita Facaj nga ana e të gjykuarit Brahim Facaj, por nuk ka kryer asnjë veprim aktiv në ndihmë të tij për kryerjen e veprës penale. Në bazë të provave të siguruara rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të një grindje të çastit që është shkaktuar midis viktimës dhe të gjykuarit Brahim, ku ky i fundit, për shkak të kundërshtimit që viktima i ka kryer në lidhje me urdhërin që ky i ka dhënë për të mos dalë nga shtëpia dhe për mos u takuar me persona të tjerë dhe të bërjes me dije se ajo do të largohej në Itali, e ka goditur me një send të fortë në pjesën e pasme të kokës. Si rezultat i dëmtimeve të marra i është shkaktuar kontuzion i trurit, dëmtime këto të papajtueshme me jetën.

21. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se nga ana e gjykatës së apelit nuk është arritur në një konkluzion të drejtë në bazë të të gjitha provave të shqyrtuara dhe të fakteve të provuara, ç’ka e ka çuar në një konkluzion të gabuar përsa i përket kualifikimit ligjor të faktit penal të ndodhur. Ky veprim bie ndesh me nenin 152 të Kodit të Procedurës Penale, në të cilin parashikohet se: “1. Çmuarja e provave është përcaktimi i vërtetësisë dhe fuqisë provuese të tyre. Çdo provë i nënshtrohet shqyrtimit dhe nuk ka vlerë të paracaktuar. Gjykata i çmon provat sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre në tërësi...”.

22. Gjykata e apelit nuk ka arsyetuar në lidhje me mekanizmin e ngjarjes për veprimet konkrete që të gjykuarit kanë kryer ndaj viktimës, të cilat i kanë marrë jetën si dhe rolin që secili prej tyre ka kryer në bashkëpunim. Në pjesën arsyetuese nuk është sqaruar se cili ka qenë roli që ka luajtur secili prej tyre sipas kuptimit të nenit 25 të Kodit Penal[3]. Gjykata e apelit e ka marrë të mirëqenë vetë-deklarimin e të gjykuarës si autore të kryerjes së vrasjes për këtë pjesë, por nuk ka pranuar si të vërtetë shfajësimin prej saj të të gjykuarit tjetër dhe pa i vlerësuar ato me provat e tjera.

23. Kolegji Penal vlerëson se pohimi i fajësisë prej të gjykuarës duket në pamje të parë se e zgjidh çështjen, por kjo provë duhet të vlerësohet në raport me të gjitha provat e tjera të cilat janë shqyrtuar. Pohimi i fajësisë nuk duhet të cilësohet mbretëresha e provave, pasi shkaqet që mund t’a çojnë të gjykuarin në pranimin e fajësisë mund të jenë të ndryshme dhe mund të mos i përgjigjen të vërtetës dhe për pasojë të dëmtojnë dhënien e drejtësisë.

24. Në analizë të të gjitha fakteve të provuara nga provat e shqyrtura, Kolegji Penal vlerëson se deklarimi i të gjykuarës si bashkëfajtore në vrasje nuk është në përputhje me vlerësimin e provave të tjera të shqyrtuara. Deklarimi “i sinqertë” i të gjykuarës për pranimin prej saj të vrasjes nuk është vlerësuar si duhet nga ana e gjykatës së apelit, për aq kohë sa nuk është analizuar së bashku me provat e tjera dhe motivin se cilat ishin shkaqet që e shtynë të gjykuarën që pas shumë vitesh pas kryerjes së vrasjes të tregonte. Për më tepër, gjatë gjithë kohës ajo është munduar të përjashtojë nga përgjegjësia penale bashkëshortin e saj, të gjykuarin Brahim Facaj, megjithëse nga mekanizmi i ngjarjes del e provuar se ai është autori i kryerjes së veprës penale. Kështu nuk rezulton të ketë asnjë provë përveç deklarimeve të saj se ka qenë pikërisht ajo që e ka goditur viktimën ne pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen. Si motiv të kryerjes së vrasjes ajo ka pretenduar se është ndjerë e fyer nga qëndrimi moral i viktimës, e cila pretendohej se kishte punuar si prostitutë në Itali.

25. E gjykuara, pas shumë vitesh që ka ndodhur vrasja, ka bërë kallëzim penal duke kallëzuar vrasjen prej saj të vajzës së burrit, viktimës Afërdita Facaj dhe varrosjen e saj në afërsi të shtëpisë. Në bazë të informacionit të dhënë është bërë kontrolli i banesës, ku në oborrin e shtëpisë në vendin e treguar prej të gjykuarës janë gjetur eshtrat e një qenie humane. Pas ekzaminimit të kufomës janë kryer dhe aktet e ekspertimit mjeko-ligjor. Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor ka rezultuar se skeleti i përket një personi të seksit femër me gjatësi 1,55 m, e cila përputhet me gjatësinë e viktimës sipas përshkrimit që i kanë bërë dëshmitarët, të afërm të saj. Nga kqyrja e skeletit janë konstatuar disa thyerje krejtësisht të anës së majtë dhe të pasme të kafkës të karakterit mbretës. Shkaku i vdekjes së viktimës në bazë të frakturave të shumta të kafkës është kontuzioni i trurit. Në bazë të këtyre dëmtimeve rezulton e provuar se viktima Afërdita Facaj ka vdekur për shkaqe kriminale si rezultat i dhunës së shkaktuar me mjete të forta mbretës.

26. Në bazë të ekspertimit biologjik të ADN-së provohet se nga krahasimi i profilit gjenetik të skeletit me ato të të gjykuarit Brahim Facaj ka një përputhshmëri në masën 99.99%. Kjo provë, si dhe përshkrimi i dëshmitarëve në lidhje me gjatësinë dhe karakteristika të tjera të viktimës, provojnë plotësisht se skeleti i gjetur në oborrin e banesës së të gjykuarve i përket vajzës së të gjykuarit Brahim Facaj, viktimës Afërdita Facaj.

27. Pohimi i fajësisë prej të gjykuarës Nurije Facaj është kontradiktor dhe nuk përputhet me provat e tjera të shqyrtuara gjatë gjykimit. E gjykuara, që në momentin e kallzimit të krimit ka pretenduar se vrasjen e vajzës së gjetur të bashkëshortit Aferdita Facaj, e ka kryer e vetme e shtyrë nga motive nderi pasi ndihej e turpëruar nga puna që viktima kishte kryer si prostitutë në Itali. Këtë deklarim ajo e ka mbështetur gjatë gjithë procesit duke përjashtuar bashkëpunimin me bashkëshortin e saj, të gjykuarin Brahim, njëkohësisht edhe babai i vajzës. Ndërkohë thëniet e të gjykuarit tjetër Brahim Facaj kanë qenë kontradiktore në lidhje me rrethanat e kryerjes së vrasjes. Ky i gjykuar, gjatë deklarimeve në fazën e hetimit si dhe në seancën gjyqësore, për vleftësimin e masës së sigurimit, ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes, duke dhënë versionin më të besueshëm se si ka ndodhur ngjarja nga ku del ai autori, ndërsa e gjykuara vetëm se ka qenë pjesmarrëse dhe më pas e ka ndihmuar për të fshehur kufomën duke e varrosur në fshehtësi. Me të drejtë të dyja gjykatat i kanë vlerësuar si të besueshme këto deklarime mbas kundërshtimit te deklarimeve të tij gjatë gjykimit, konform nenit 370 të K.Pr.Penale.[4] Pretendimi për pafajësi është hedhur poshtë nga të gjitha provat e tjera të cilat janë marrë dhe janë shqyrtuar gjatë gjykimit, të cilat në vlerësimin logjik të çojnë në konkluzionin se i gjykuari Brahim Facaj është autor i vetëm i vrasjes së viktimës Afërdita Facaj.

28. Nga procesverbalet e përgjimit ambiental, të zhvilluar midis të gjykuarës Nurije dhe vajzës së saj Vjollca Facaj, si dhe përgjimit të kryer gjatë bisedës midis vetë të gjykuarve, rezulton se e gjykuara Nurije Facaj ka pranuar autorësinë e krimit të vrasjes pa e kryer atë me qëllimin që të shpëtojë nga përgjegjësia penale të gjykuarin tjetër Brahim Facaj. Nga konteksti i bisedës del qartë se vrasja e shtetases Afërdita Facaj është kryer nga i gjykuari Brahim Facaj dhe se ajo ka vendosur ta marrë përsipër. Ky fakt del qartë kur ajo i deklarohet bashkëbisedueses se “e ka marrë përsipër vetë” dhe se “burri e ka ba katë gja” duke nënkuptuar vrasjen. Ndërkohë që edhe nga përgjimi ambiental midis të gjykuarve provohet se e gjykuara Nurije ka dijeni për vrasjen, duke i bërë me dije se ajo e ka marrë përsipër vrasjen e kryer për të shfajësuar të gjykuarin Brahim Facaj. Gjithashtu rrëzohen motivet që e kanë shtyrë të gjykuarën për kryerjen e vrasjes për shkak të moralit dhe vënies në vend të nderit.

29. Në bazë të provave rezulton se e gjykuara është njerka e viktimës (vajzë e gjetur nga martesa e parë e bashkëshortit). Pas martesës e gjykuara e ka gjetur në moshë motake viktimën duke e rritur si vajzën e vet derisa është martuar. Nga të gjitha provat me dëshmitarë provohet se marrëdhëniet e saj me viktimën kanë qenë të mira. E gjykuara Nurije Facaj nuk ka pasur motive për ta vrarë viktimën pasi sjellja e saj nuk ka “turpëruar” atë, por të gjykuarin Brahim Facaj, i cili është babai i saj, që nën presionin e së drejtës zakonore e cila e vendos femrën nën pushtetin e burrit si dhe parashikon ndëshkimin për sjellje imorale, siç pretendohej për viktimën gjatë kohës që ajo kishte qenë emigrante në Itali, gjatë një debati për shkak të mosbindjes së viktimës ndaj pushtetit prindëror e ka qëlluar me send të fortë duke i shkaktuar vdekjen.

30. Kolegji Penal vlerëson se del e provuar se në përpjekje për shfajësuar bashkëshortin e saj, të gjykuarin Brahim Facaj, e gjykuara Nurije Facaj ka inkriminuar veten për një krim të cilin ajo nuk e ka kryer. Në bazë të të dhënave që ajo jep në lidhje me ngjarjen, por sidomos të vendit se ku ndodhej “corpus delicti”, provohet se ajo ka qenë prezent në momentin e vrasjes së viktimës Afërdita Facaj nga i gjykuari Brahim Facaj dhe nuk ka kryer asnjë veprim aktiv që të provojë se ajo ka bashkëpunuar. Fakti që ajo ka qenë prezente gjatë kryerjes së krimit nuk e bën automatikisht bashkëpunëtore, ndërkohë që ajo ngelet dëshmitare e vetme e ngjarjes. Pas kryerjes së vrasjes nga i gjykuari Brahim e gjykuara e ka ndihmuar atë në zhdukjen e kufomës duke e varrosur prapa shtëpisë me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale. Ky fakt provohet nga informacioni i detajuar që e gjykuara ka dhënë në lidhje me vendndodhjen e varrit dhe gjetjen e eshtrave të viktimës, pikërisht në vendin e kallzuar prej të gjykuarës Nurije Facaj.

31. Kolegji Penal vlerëson se veprimeve të kryera nga e gjykuara Nurije Facaj duhet t’i jepet kualifikim tjetër ligjor dhe se ajo duhet të deklarohet fajtore për veprën penale të fshehjes apo asgjësimit të kufomës, të parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal.

32. Objekti i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet shoqërore të mbrojtura posaçërisht nga ligji, që kanë të bëjnë me veprimtarinë ndihmëse që u jepet autorëve të vrasjeve në fshehjen apo asgjësimin e kufomave me qëllim mos zbulimin e veprës penale dhe të autorëve.

33. Nga ana objektive kjo vepër kryhet me veprime aktive të cilat synojnë që të zhdukin “corpus delicti” nëpërmjet fshehjes, e cila synon mosgjetjen apo prishjen e tërësisë trupore. Në bazë të rrethanave të faktit e gjykuara Nurije Facaj, pas vrasjes së viktimës Afërdita Facaj prej të gjykuarit Brahim Facaj, e ka ndihmuar atë që të fshehin kufomën duke e varrosur në një vend prapa shtëpisë dhe të paidentifikuar me shenja përkatëse. Fshehja konsiston se megjithëse fakt juridik me pasoja, si subjekt fizik në bazë të ligjit për gjendjen civile duhet të deklarohet dhe të vërtetohen shkaqet e vdekjes, e gjykuara jo vetëm në fshehjen e kufomës, por edhe të regjistrimit dhe bërjes me dije të shkaqeve duke ngritur alibinë se viktima ndodhet gjallë dhe është ne Itali në adresë të panjohur. Fakti i fshehjes së kufomës provohet nga thëniet e dëshmitarëve si Vjollca Mali, Bejto Dylaj, Rexhep Curri, Dhurata Osmani, të cilëve, në bazë të interesimit si familjarë, të gjykuarit iu janë përgjigjur: “...se Afërdita ndodhej jashtë shtetit”.

34. E gjykuara Nurije Facaj është subjekt madhor dhe i përgjegjshëm para ligjit e vërtetuar kjo në bazë të akteve të gjendjes civile, si dhe të aktit të ekspertimit psikiatriko-ligjor sipas të cilit ajo rezulton e përgjegjshme.

35. Veprën penale ajo e ka kryer me dashje direkte e shtyre nga motive të dobëta për të ndihmuar autorin e vrasjes, të gjykuarin tjetër për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.

36. Në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit, Kolegji Penal mban parasysh rrethanat e kryerjes së veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe të autorit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe ato rënduese. Në kuptim të nenit 48, gërma “ç” dhe “dh” të Kodit Penal, si rrethanë lehtësuese mbahet parasysh pendimi që ka treguar per kryerjen e veprës penale dhe paraqitja e saj në organet kompetente duke ndihmuar në krimin e vrasjes dhe të autorit të saj. Si rrethanë rënduese, në kuptim të nenit 50 gërma “b”, konsideron faktin që veprimet e të gjykuarës kanë ndihmuar në shmangien e përgjegjësisë penale të autorit të vrasjes.

37  Kolegji Penal i vlerëson të pabazuara në ligj pretendimet e të gjykuarit Brahim Facaj në lidhje me çmuarjen e provave përsa i përket deklarimit fajtor për veprën penale të vrasjes, në bazë të nenit 78/1 të Kodit Penal[5]. Në bazë të të gjitha provave provohet se i gjykuari i nxitur nga kundërshtitë e momentit të viktimës, për mos iu bindur urdhërave të tij, i nxitur nga motive zakonore në grindje e sipër e ka goditur me send të fortë mbretës në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar kontuzion të trurit, dëmtime këto të papajtueshme me jetën. Pavarësisht nga qëndrimi kontradiktor që ka mbajtur e bashkëgjykuara, deklarimet e saj nuk mund të shërbejnë si provë në bazë të nenit 152/3 të K.Pr.Penale.[6] Siç rezulton nga provat e tjera, procesverbalet e përgjimeve ambientale si dhe dëshmitë indirekte të dëshmitarëve Agron Facaj, provohet se ai është autor i vrasjes dhe se atë e ka kryer i vetëm. Alibia e ngritur prej tij se ditën e ngjarjes ai ka qenë i shtruar në spital është rrëzuar nga provat e shqyrtuara, nga të cilat ka rezultuar se kjo i përket një kohe të mëvonshme. Në kushtet kur bashkëpunimi me të gjykuarën Nurije Facaj nuk provohet, edhe për të gjykuarin Brahim Facaj ky element si formë e kryerjes së veprës penale do të hiqet.

V.                Në lidhje me zgjidhjen e çështjes

38. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale, e gjykuara Nurije Facaj me veprimet e saj ka konsumuar veprën penale të fshehjes së kufomës, të parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal dhe përjashtimi i saj si bashkëpunëtore në vrasje e heq bashkëpunimin si rrethanë të kryerjes së veprës edhe për të gjykuarin Brahim Facaj, për të cilin konkludohet se ka vepruar i vetëm.

 

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441/1, gërma “b” të Kodit të Proçedurës Penale,

 

V E N D O S I

1.      Lënien në fuqi të vendimit nr.8, datë 14.01.2009 të Gjykatës së Apelit Shkodër për të gjykuarin Brahim Facaj për deklarimin fajtor për veprën penale të vrasjes me dashje, të parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal, duke hequr bashkëpunimin në bazë të nenit 25 të Kodit Penal.

2.      Ndryshimin e këtij vendimi, për të gjykuarën Nurije Halil Facaj duke e deklaruar fajtore për veprën penale të “Fshehjes së kufomës”, të parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vjet burgim.

3.      Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të gjykuarës Nurije Halil Facaj, nëqoftëse nuk mbahet për shkak tjetër, për efekt të vuajtjes së dënimit me burgim.

4.      Urdhërohet prokurori pranë Gjykatës së Lartë për ekzekutimin e këtij vendimi.

 

Tiranë, më 11.04.2012

 

 

 

[1] Neni 76 “Vrasja me dashje”

Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

[2] Neni 303 i K.Penal “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”

Fshehja ose asgjësimi i kufomës së një personi, viktimë e vrasjes apo të veprave të tjera të dhunshme, e bërë me qëllim për të ndihmuar autorin e krimit që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes dhe arrestimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

[3] Neni 25 “Kuptimi i bashkëpunimit”

Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.

[4] Neni 370/1 i K.Pr.Penale “Leximi i deklarimeve të bëra nga i pandehuri”

1. Për të kundërshtuar, tërësisht ose pjesërisht, përmbajtjen e deklarimeve të të pandehurit, palët mund të përdorin deklarimet e bëra më parë nga ai dhe që ndodhen në fashikullin e prokurorit, në qoftë se ka folur për faktet dhe rrethanat që kundërshtohen.

[5] Neni 78/1 K.Penal “Vrasja me paramendim”

Vrasja me paramendim dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.

[6] Neni 152/3 i K.Pr.Penale –“Çmuarja e provave”

Deklarimet e bëra nga i bashkëpandehuri në të njëjtën vepër penale ose nga personi i marrë si i pandehur në një procedim që lidhet me të, vlerësohen në unitet me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tyre.