Transmetuar më 13-11-2017, 20:11

EKSKLUZIVE – Kur banorët e fshatit Drisht në komunën Postribë të Shkodrës, pyesnin familjen Facaj, atë vjeshtë të vitit 1998, se ku ndodhej e bija, Afërdita, ata ngurronin të tregonin, duke shpërndarë mjegull mbi vendndodhjen e saj.

Në fakt, Afërdita Facaj, 19 vjeçe, kishte ikur nga kjo botë, e masakruar me një hekur pas koke. Më tej ishte groposur dhe ashtu mbeti për nëntë vjet me radhë.

Gjithë këtë kohë, banorët përfolnin se të bijën e kishin hequr i ati me gruan e tij të dytë, njerka.

Por askush nuk doli të thotë në organet e drejtësisë, këtë dyshim të fortë.

Guximin e mori njerka, më 9 mars 2007. Nurije Facaj shkoi në polici dhe u rrëfye: Afërditën e vrava unë dhe e groposa për të fshehur gjurmët.

Por a ishte ajo, autorja e vërtetë e vrasjes, apo po mbulonte të shoqin, Brahim Facaj që këtë të diel (dje), vdiq në spitalin e Tiranës (QSUT).

Për më tepër, edhe vetë Brahimi këmbëngulte që nuk e vrau e shoqja, por ai, për nder.

Këtë mister, ndonëse një kalvar shqyrtimesh gjyqësore e përshkoi për vite me radhë, duket se do ta marrë me vete Brahimi që vdiq, sa kohë që e shoqja Nurija, as sot nuk tregon një version tjetër të atij që tha atë janar të dhjetë viteve më parë.

Ndonëse Nurija u rrëfye si vrasësja, policia dhe prokuroria nuk e besuan fort. Ato kryen përgjime të çiftit dhe hamendësuan se autor ishte i ati dhe jo njerka e Afërditës.

Por pse u vra Afërdita?

Për dy vjet e gjysmë, vajza shkoi në Itali, ku shumëkush tha se bëri prostitutën.

Kur u kthye, u strehua tek i ati dhe njerka, por turpi që kishte ndodhur e kishte shkatërruar rutinën normale të kësaj familjeje.

Atë vit të largët të 1998-ës, Afërdita hyri në dhe, jo me një varrim normal, por e groposur për të fshehur vdekjen e saj.

E për nëntë vite rresht, i ati dhe njerka jetonin me kufomën e vajzës të groposur fare pranë shtëpisë së tyre.

Gjykata e Rrethit në Shkodër, më 3 korrik 2008 e dënoi Brahimin me 25 vjet burgim dhe të shoqen me 15 vjet të tjera, me akuzat e vrasjes në bashkëpunim dhe fshehjes së krimit.

Ky vendim, u ankimua në gjykatën e Apelit Shkodër. Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin e datës 14 janar 2009 duke ulur me pesë vjet dënimin për Brahimin.

NOA.al ju sjell detajet e kalvarit gjyqësor.

Në vitin 2012, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mori në shqyrtim çështjen duke analizuar vendimet.

Në të gjitha rastet, doli se e gjykuara Nurije Facaj ka dhënë shpjegime të hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur, duke ia atribuuar të gjitha fajet vetes së vet.

Këtu gjykata e Lartë nxjerr një tjetër fakt domethënës: “I gjykuari, Brahim Facaj në momentin e krimit ka qenë i shtruar në spital, sepse ka qenë i dëmtuar nga shpërthimi i një dinamiti, kjo vërtetuar me shenjat që ai i ka në fytyrë. Prokuroria në asnjë moment nuk ka sjellë një provë që të hedhë poshtë këtë pretendim të gjykuarit Brahim Facaj”.

Në këtë pikë, Gjykata e Lartë citon se “në nenin 4 të Kodit të Procedurës Penale thuhet se çdo dyshim shkon në favor të të pandehurit.

Kurse shton: “Është e pamundur që babai biologjik i saj të ketë kryer këtë vrasje, pasi në asnjë rast nuk provohet një gjë e tillë. Në momentin e ardhjes së viktimës nga shteti Italian në qytetin e Shkodrës, viktima është shoqëruar nga i ati i saj Brahim Facaj, të cilët kanë udhëtuar natën nga Shkodra për në fshatin Drishtë rreth 40 km në këmbë dhe natën, mundësia e vrasjes së saj nga ky i fundit ka qenë shumë e përshtatshme por ky i gjykuar nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë duke e ditur që vajza e tij ka rreth 4 vjet që jeton në Itali duke ushtruar detyrën e prostitutës. E vetmja akuzë që mund t’i bëhet të gjykuarit Brahim Facaj është ajo e “Moskallzimit të krimit”, pasi ka qenë lidhja familjare me bashkëshorten e tij që nuk ia ka detyruar një gjë të tillë”.

Më tej, pohon: “Ngjarja ka ndodhur nga një ngatërresë e çastit mes viktimës dhe të gjykuarës. E gjykuara, duke mos pasur dhimbshmërinë e fëmijës, e ka goditur atë pas kokës me një kmese, si rezultat i kësaj goditjeje viktima ka gjetur menjëherë vdekjen”.

Megjithatë, në fund, Gjykata e Lartë është bazuar te përgjimet ndaj çiftit, ku janë mbështetur fort te deklarimi i Nurijes se atë gjë e kishte bërë i shoqi.

Ndaj gjykata e Lartë, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër për të gjykuarin Brahim Facaj për deklarimin fajtor për veprën penale të vrasjes me dashje, duke hequr bashkëpunimin në bazë të nenit 25 të Kodit Penal.

Po ashtu vendosi ndryshimin e këtij vendimi, për të gjykuarën Nurije Halil Facaj duke e deklaruar fajtore për veprën penale të “Fshehjes së kufomës” dhe dënimin e saj me 5 vjet burgim.

Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të gjykuarës Nurije Halil Facaj, për efekt të vuajtjes së dënimit me burgim. /noa.al/