Transmetuar më 13-11-2017, 18:50
Publicitet

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e 4 personave, tre prej të cilëve zyrtarë publikë, të dyshuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv…” dhe “korrupsionit aktiv…”, për procesin e legalizimit të një ndërtimi.

Në bazë të veprimeve proceduriale të kryera nga Prokuroria e Tiranës, nisur nga informacioni i referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit, rezulton se:

Shtetasja M.S. ka aplikuar për lejen e legalizimit të një ndërtimi pa leje, në zyrat e ALUIZNI-t, Tiranë, në vitin 2014. Prej asaj kohe, ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin e saj.

Për t’u interesuar për ecurinë e aplikimit, është interesuar vazhdimisht edhe vajza e aplikueses, shtetasja K. Sala, e cila është efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në sallën operative. Kjo e fundit është njohur me shtetasen S. Musallaj, e cila i ka siguruar se kishte njohjet e duhura për të mbaruar punën me dokumentat.

S. Musallaj ka vendosur kontaktet ndërmjet të interesuarës, K. Sala dhe një punonjëse të Hipotekës së Tiranës, B. Belli. Kjo e fundit, pasi ka konsultuar letrat e aplikimit të bëra nga nëna e K.Salës, ka thënë se nuk ishte punë që e mbulonte institucioni i saj (Hipoteka).

Gjithsesi, punonjësja e Hipotekës i ka thënë të interesuarës se kishte një mikun e saj te ALUIZNI-i i Tiranës, dega Laprakë, e konkretisht, shtetasin M.Bezhani. Pas disa komunikimeve ndërmjet personave të mësipërm, është rënë dakord që e interesuara, shtetasja K.Sala, të paguante shumën prej 6 mijë eurosh tek shefi i ALUIZNI-t për Laprakën, M. Bezhani.

Shuma e parave, në formë ryshfeti, është dorëzuar nga shtetasja K.Sala tek punonjësja e Hipotekës, B.Belli, ditën e djeshme 12 nëntor 2017. Shtetasja B. Belli është takuar pasditen e së dielës me shtetasin M. Bezhani, duke i dorëzuar shumën e parave.

Në vijim të kësaj “pagese”, ditën e sotme, aplikuesja K.Sala ka marrë lejen e legalizimit në bazë të aplikimit të kryer nga nëna e saj në vitin 2014.

Prokuroria e Tiranës ka qenë në ndjekje dinamike të kësaj situate dhe, pasditen e sotme, ka kryer ndalimet e shtetasve, si më poshtë: K. Sala, punonjësve policie (aplikante), B. Belli, punonjëse e ZVRPP (Hipoteka) Tiranë, M. Bezhani, përgjegjës zyre ALUIZNI, Laprakë, Tiranë, S. Musallaj. /b.l/noa.al/