Transmetuar më 13-11-2017, 17:07

Grupi Parlamentar socialist u mblodh pasditen e sotme për të diskutuar buxhetin e vitit 2018, të cilin Kryeministri e quajti hapi i parë drejt ndërtimit të Shqipërisë që duam. Rama thotë se buxheti ka një bazë themelore dhe tepër të rëndësishme.

“Ky projekt, ky buxhet bazohet ekskluzivisht tek të ardhurat e brendshme, që është baza themelore që u jep forcë reformave që do të thellojmë me më vendosmëri dhe kurajo, pa fryrje artificiale nga borxhi i jashtëm”, u shpreh ai.

Kryeministri thotë se buxheti investon tek forcimi i mëtejshëm i shtetit, rritja e punësimit, mirëqenies dhe të ardhurat në buxhet. “Ka brenda vetes paketën më të madhe të investimeve publike të realizuara ndonjëherë, 86.1 miliardë, ose më shumë se 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar”, tha Rama.

Kryeministri e quajti të paprecedentë një nivel të tillë investimesh, ndërkohë që sipas tij, borxhi do të vazhdojë të ulet. “Pjesën e luanit e ka infrastruktura rrugore, por nga ana tjetër ka financime në rritje në krahasim me të shkuarën edhe në ujësjellësa”, deklaroi Rama.

Një temë tjetër për të cilën ka folur Rama sot ka qenë edhe takimet e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati me Kotzias në Kretë. Rama e konsideroi hapjen një kapitulli të ri në marrëdhëniet me Greqinë bisedimet e zhvilluara në Kretë midis dy kryediplomatëve. Duke falënderuar publikisht Ditmir Bushatin, Rama tha se synimi është që me Greqinë të arrihet një pakt i partneritetit strategjik.

“Dua të falënderoj publikisht ministrin e Jashtëm për punën e kryer në funksion të adresimit për problemet e mbartura për dekada të tëra në raport me fqinjin tonë jugor. Bisedimet e zhvilluara në Kretë kanë shënuar një moment të rëndësishëm për diplomacinë tonë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve”, tha Rama.

Ai theksoi më tej se Greqia për ne është një partner strategjik. “Ne me Greqinë duam të kemi një traktat të partneritetit strategjik dhe jo një sërë çështjesh që shfaqen në rrugën e së ardhmes herë pas here për arsye të brendshme në të shumtën e herës, herë si gurë herë si gjarpërinj dhe pengojnë konsolidimin e këtyre marrëdhënieve, pengojnë ecurinë e një partneriteti tragjik për Shqipërinë dhe për Greqinë.

Kam shumë besim që midis Shqipërisë dhe Greqisë të hapet një kapitull i ri në mënyrë që kjo situatë krizash të kthehet në një situatë mundësish deri në arritjen një traktati të partneritetit strategjik”, u shpreh Rama. /b.l/noa.al/