Transmetuar më 13-11-2017, 16:59

Grupi i PS-së ka miratuar kërkesën e Taulant Ballës për nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetarit të KQZ, Zguri për shkelje në rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Kapllanaj. Vendimet u bënë publike nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

“Kryetari i KQZ me paramendim ose në ndikimin e PD vendosi që të fshehë vendimin e prokurorisë për Agron Kapllanajn. Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit duke shtyrë jetën politike të të zgjedhurit të PD. Shembull konkret i pa tolerueshëm. 

Kapllanaj është i dënuar me dy vite burg për vjedhje në Itali. Është konfirmuar që ky dënim e bën të papajtueshëm dhe të pavlefshëm mandatin. Duhet që kryetari i KQZ të bënte shqyrtimin në KQZ, Zguri nuk e shqyrtoi.

Megjithatë grupi i PS ka ndjekur të gjithë procedurën dhe ka monitoruar rastin dhe sot jemi në situatën që grupi i PS duke konstatuar që një zyrtar i lartë shkel ligjin duhet të marrim një vendim për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të KQZ. 

Kryetari është për shkak të besimit që kemi investuar te ky njeri, lidhur me marrëveshjen e 18 majit për zgjedhjet e 25 qershorit. Ne duhet të fillojmë procedurat për shkarkimin e Zgurit”, u shpreh Rama.

Veç kësaj, Rama thotë se po shqyrtohet mundësia edhe për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës. Kryeministri deklaroi se “fakti që ka teserën e PD, nuk e bën me imunitet ndaj ligjit dhe as virgjëreshë në raport me veprat penale që ka kryer dhe ndëshkuar nga gjykata italiane, kreun e kësaj bashkie”.

Ndërkohë, Taulant Balla u shpreh se do të fillojë proceduarat për shkarkimin e Klement Zgurit nga kreu i KQZ. Balla u shpreh se Klement Zguri me veprimet dhe mosveprimet e tij ka zgjatur jetën politike të një të dënuari.

“Drejtësia italiane konfirmoi se Agron Kapllanaj është dënuar me 2 vjet për vjedhje. Zyrtari i lartë në krye të KQZ shkeli me dashje ligjin për dekriminalizimin. Do të fillojmë proceduarat për shkarkimin e Klement Zgurit nga kreu i KQZ”, u shpreh Balla. /b.l/noa.al/