Transmetuar më 13-11-2017, 11:46

Pas kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin e tij nga detyra e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me pretendimin se ka shkelur ligjin, ka ardhur dhe reagimi i Klement Zgurit.

Jashtë sallës ku u zhvillua mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku po shqyrtohet projektbuxheti i vitit 2018 për KQZ, ai theksoi se nuk merret me deklarata politike. Zguri tha se për të nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor.

“Në një deklaratë dje kam kërkuar që të ruaj statusin tim të funksionarit dhe do ti qëndroj deri në fund. Kush është institucioni që vlerëson një vendim, të KQZ nëse është apo jo i ligjshëm.

Asnjë subjekt zgjedhor nuk e ka ankimuar vendimin e KQZ. Vendimet e KQZ ankimohen në Kolegj dhe Gjykatë Administrative. Fakti që nuk ankimohet do të thotë se vendimi pranohet. Me deklaratat politike nuk merrem", tha Zguri.

Më tej në Komisionin e Ligjeve, Zguri ka shprehur shqetësimin për disa çështje që kanë të bëjnë me logjistikën, duke kërkuar fonde shtesë. Fondi prej 128 milionë lekë nuk është i mjaftueshëm për institucionin e KQZ. Ai tha se KQZ në të gjithë Republikën ka 2 furgona të vitit 1994 dhe 3 makina të vogla.

“Në total pr/buxheti parashikon 128 milionë lekë. Përveç tavaneve të miratuara nga Këshilli i Ministrave janë kërkuar fonde shtesë. Unë po listoj 3-4 shqetësime që realisht komisioni i ka, kryesisht kanë të bëjnë me logjistikën.

Në krye të herës më duhet të them se kemi nevojë për një magazinë. Është e pa mundur që për shkak të sasisë së materialeve që kemi në dispozicion për ti sistemuar në magazinat që kemi aktualisht. Deri tani na është ofruar ndihmë nga  ministria e Mbrojtjes. Na është vënë në dispozicion një magazinë në Shkozet. Ndërkohë që po ngulim këmbë dhe ne kemi filluar  shpërnguljen e të gjitha materialeve që janë në atë magazinë për ti sjellë tek rezervat e shtetit ku kemi edhe magazinat aktuale. Por magazine në fjalë është jashtë funksionit dhe do të duhet të këtë investim për ta sjellë në parametrat normale.

Përveç dokumentacionti kemi edhe pajisjet që kanë të bëjnë me numërimin e fletëve të votimit. Është shumë e rëndësishme që ato të ruhen në parametrat e duhura që ato mos dëmtohen. Një moment tjetër ka të bëjë me informacionin. KQZ ka një gamë të gjerë informacioni, për të rritur sigurinë dhe transparencën sigurisht që duhet investim.

Moment tjetër ka të bëjë me një kat ose dy kate shtesë rreth 500 metra katror në institucionin e KQZ. Edhe pse jemi në një godinë të re është e pamundur për të menaxhuar fluksin e personave sidomos në periudha zgjedhore.

Një moment tjetër ka të bëjë me makina. Unë e di që nuk ka ndonjë vëmendje të madhe, por duhet të them jemi në zero mundësi. Furgon të vitit 1994, mjete në rrugë. Është gjithë Republika, janë dy furgona dhe 3 makina të vogla që janë të gjitha të zeruarua. Institucionet përkatëse nuk na pajisin dot me leje dhe me taksat. Nuk i paguajmë dot për të qenë normal”, tha Zguri. /b.l/noa.al./