Transmetuar më 12-11-2017, 09:18

Lorik Cana ka qenë për vite me radhë kapiten i Kombëtares shqiptare të Futbollit, në fushë dhe jashtë saj. Pak të tjerë i njohin si ai futbollistët e Kombëtares së këtyre viteve.

Për këtë arsye, Ermali zhvilloi një pyetësor me të ftuarin e tij mbi cilësitë e veçanta të lojtarëve tanë që i mëson vetëm po të ndash të njëjtën dhomë zhveshjeje me ta. Siç ka bërë Loriku.

Dhe Cana, personazhi i mbrëmjes së kësaj të shtune nuk ka kursyer asnjërin. Kini parasysh, pyetjet janë me humor, sepse jemi në programin Xing me Ermalin.

Nëse doni të dini cili është futbollisti ‘me më shumë lesh’, Cana thotë Elsaid Hysaj dhe Armando Sadiku, megjithëse duket se gjykon më shumë nga portretet e tyre me mjekër, sesa trupi, pasi futbollistët përgjithësisht depilohen.

Futbollisti që vonohet më shumë në dhomat e zhveshjes për të kuruar pamjen, është sërish Sadiku, i cili me sa duket i kushton më shumë rëndësi kujdesit për veten.

Përgjigja e radhës do ju çudisë. Ai që ha me uri në dhomat e zhveshjes, është një nga futbollistët me trup më të dobët, Etrit Berisha. “Atij i vijnë familjarët nga Kosova me ëmbëlsira”, ka thënë Loriku. Askush nuk do e kishte menduar!

Për futbollistin me partneren më xheloze, Loriku zgjodhi veten. Ndërsa gjithë pyetjet e tjera i plotësonin të gjithë futbollistëve, veç Mërgim Mavrajt, djaloshit besimtar mysliman, që lahet me të brendshme, nuk flet me fjalë të pista dhe nuk tregon ndodhitë me femrat. /b.l/noa.al/